Datojnë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Angli zbulohen rreth 200...
Rreth 200 bomba të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore janë zbuluar në një shesh lojërash për fëmijë në Northumberland, në Anglinë Veriore.
Autoritetet kanë konfirmuar lajmin, duke shtuar se po vijojnë kontrollet për të gjetur dhe asgjësuar të gjitha bombat përpara se parku të hapet sërish për publikun.
Incidenti ndodhi gjatë punimeve të ndërtimit në sheshin e lojërave për fëmijë.
Ekspertët e municioneve shpërthyese po punojnë intensivisht për të rikuperuar të gjitha bombat në mënyrë të sigurt.
Sipas deklaratës së autoriteve lokale, këto mjete shpërthyese të cilësuara si “bomba praktike” përmbajnë ende ngarkesë eksplozive.
“Duke marrë parasysh numrin e madh të bombave, ato duhet të rikuperohen nga profesionistë për të garantuar sigurinë e plotë të zonës,” thuhet në deklaratë. Ndërkohë, parku i lojërave do të mbetet i mbyllur derisa të përfundojnë të gjitha inspektimet dhe procesi i pastrimit.
Ky nuk është rasti i vetëm i zbulimit të municioneve të pashpërthyera në Angli vitet e fundit.
Në shkurt 2024, mijëra banorë u evakuuan në Plymouth pasi u zbulua një bombë 500 kilogramëshe në një kopsht.
Ajo u zhvendos në det për t’u asgjësuar, duke shmangur rrezikun e një shpërthimi të fuqishëm në tokë që mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha në pronat përreth.
Autoritetet lokale po ngrenë alarmin për zbulime të tilla që lidhen me mbetjet e Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se kujdesi dhe ndërhyrjet e shpejta janë thelbësore për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Pastrimi i zonës pritet të zgjasë disa javë.
