Zhvendosja e palestinezve, Baerbock: Gaza është shtëpia e tyre, çdo plan dëbimi është i papranueshëm!

Gjermania ka kundërshtuar me vendosmëri planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të “marrë përsipër” Gazën dhe për të rivendosur përgjithmonë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera.

Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock në një deklaratë deklaroi se një zgjidhje e negociuar me dy shtete mbetet e vetmja rrugë përpara që do të sigurojë që palestinezët dhe izraelitët të jetojnë në paqe, siguri dhe dinjitet.

“Dëbimi i popullatës palestineze nga Gaza jo vetëm që do të ishte i papranueshëm, dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu do të çonte në vuajtje dhe urrejtje të re”, theksoi ministrja gjermane

Ajo shtoi  gjithashtu  se OKB-ja,  dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kundërshtuar vendbanimet izraelite në territoret palestineze përmes rezolutave dhe vendimeve të tyre.

Komentet e ministres gjermane vijnë pas deklaratës së Trumpit se SHBA-ja do të marrte përsipër Rripin e Gazës gjatë një konference për media, mbrëmë së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sipas presidentit amerikan, popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti.

Propozimi është refuzuar në mbarë botën si nga zyrtarët e OKB-së ashtu edhe nga shumë vende, përfshirë Kinën  Turqinë, Spanjën dhe Francën.