Evropiani U-21 “në dorë” të shqiptarëve dhe serbëve, reagojnë dy federatat e futbollit

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i dha të drejtën Shqipërisë të jetë një nga vendet organizatore të Europianit U-21 për vitin 2027, së bashku me Serbinë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka deklaroi se do të jetë më shumë se sa një turne futbollit. Sipas tij, Europiani U-21, do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë.

“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë.

Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit. Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë.

Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”, u shpreh Duka.

REAGON EDHE SERBIA

Evropiani U-21 “në dorë” të shqiptarëve dhe

Së fundmi ka patur një reagim edhe nga sekretari i Federatës Serbe të Futbollit, Branko Radujko, i cili e vlerësoi këtë vendim të UEFA-s si shumë domethënës.

“Ky do të jetë turneu më i madh i futbollit në historinë e Serbisë, një ngjarje që do t’i tregojë botës se çfarë është e mundur kur njerëzit fokusohen në një qëllim të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit.

Si i tillë, ai përfaqëson një trampolinë për përmirësimin e stadiumeve dhe ambienteve të tjera të futbollit në të gjithë vendin, me mbështetjen e UEFA-s. Do të krijohet një trashëgimi e qëndrueshme që do të frymëzojë brezin e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve të futbollit në të dy vendet.

Në fund të fundit, ne kemi ambiciet tona dhe besojmë shumë në gjeneratën e lojtarëve tanë të rinj që do të udhëhiqen nga trajneri Aleksandar Kolarov në këtë garë madhore.

Besojmë gjithashtu se ky organizim do të jetë një prelud për të pritur ndeshjen finale të një kompeticioni evropian për klube, ndeshje që do të luhej në Stadiumin e ri Kombëtar”, u shpreh Radujko.

Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.