“Lufta” e re tregtare nisi! President i SHBA, vendos tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës
Lufta tregtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kanadanë, Meksikën dhe Kinën nisi. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zyrtarizoi vendosjen e tarifave mbi mallrat nga Meksika, Kanadaja dhe Kina, duke kërkuar që ato të ndalojnë rrjedhën e fentanilit – dhe në rastin e Kanadasë dhe Meksikës, emigrantëve të paligjshëm
Meksika dhe Kanadaja, dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, menjëherë u zotuan për tarifa hakmarrëse, ndërsa Kina tha se do të sfidonte vendimin e Trump në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe do të merrte masa të tjera kundërpërgjigjeje.
Në tre urdhra ekzekutivë, Trump vendosi tarifa 25% mbi importet meksikane dhe shumicën e importeve kanadeze, si dhe 10% mbi mallrat nga Kina, duke filluar nga e marta.
Ai u zotua t'i mbajë tarifat në fuqi derisa të përfundojë ajo që ai e përshkroi si një emergjencë kombëtare për shkak të fentanilit, dhe emigracionit të paligjshëm në SHBA.
Trump vendosi vetëm një tarifë prej 10% mbi produktet energjetike nga Kanadaja, ndërsa importet e energjisë nga Meksika do të përballen me tarifën e plotë prej 25%.
Kanadaja u kundërpërgjigj menjëherë.
Kryeministri Justin Trudeau lajmëroi tarifa 25% mbi 155 miliardë dollarë mallra amerikane, duke përfshirë birrën, verën, drurin dhe pajisjet shtëpiake
Ai lajmëroi se masat do të nisin me 30 miliardë dollarë të martën dhe 125 miliardë dollarë të tjera pas 21 ditësh.
Trudeau paralajmëroi qytetarët amerikanë se tarifat e Trump do të rrisin kostot e ushqimeve dhe karburantit të tyre, ndërsa u bëri thirrje kanadezeve që të shmangin udhëtimet në SHBA dhe të bojkotojnë produktet amerikane.
Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, në një postim në X, tha se kishte udhëzuar ministrin e saj të ekonomisë të zbatonte tarifa hakmarrëse
Ministria e Tregtisë e Kinës nuk specifikoi masat që do të marrë ndaj SHBA, por në një deklaratë të parë la të hapur mundësinë për bisedime midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Rreth 90 minuta pas njoftimit të Trump, himni kombëtar amerikan u fishkëllye gjatë një ndeshje Hokei në Otava.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk do të ketë përjashtime nga tarifat dhe nëse Kanadaja, Meksika ose Kina hakmerren ndaj eksporteve amerikane, Trump ka të ngjarë të rrisë detyrimet e SHBA.
Trump shpalli emergjencën kombëtare sipas Aktit të Fuqive Ekonomike Ndërkombëtare të Emergjencës dhe Aktit të Emergjencave Kombëtare për të mbështetur tarifat, të cilat i japin presidentit kompetenca të gjera për të vendosur sanksione për të adresuar krizat.
Vendimi përmbush kërcënimin e përsëritur të Trump gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 dhe që nga marrja e detyrës, duke sfiduar paralajmërimet e ekonomistëve se një luftë e re tregtare me partnerët më të mëdhenj tregtarë do të dëmtonte rritjen e SHBA dhe botës, duke rritur çmimet për konsumatorët dhe kompanitë.
