Kallas: Sanksionet e BE-së ndaj Sirisë mund të lehtësohen gradualisht
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka propozuar një lehtësim gradual të sanksioneve të vendosura ndaj Sirisë.
“Plani është të fillojmë me ato masa që janë vërtet të nevojshme për të trajtuar rindërtimin e vendit”, tha sot Kallas gjatë bisedimeve me ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan në Ankara.
“Nëse udhëheqja e re siriane tregon përparim, mund të ndërmerren hapa të mëtejshëm”, shtoi Kallas.
Bisedimet do të mbahen të hënën në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Kallas nuk dha asnjë detaj për planin e saj në Ankara. Sipas diplomatëve në Bruksel, sanksionet fillimisht mund të lehtësohen për të lehtësuar furnizimin me energji dhe udhëtimet.
BE-ja vendosi sanksione ndaj Sirisë në përgjigje të shtypjes së dhunshme nga qeveria e Bashar al-Assad-it ndaj popullsisë civile nga viti 2011.
Këto synonin gjithashtu sektorët ekonomikë nga të cilët përfitoi rrethi i pushtetit të al-Asaad-it.
Masat e BE-së përfshijnë ndalimin e investimeve në industrinë e naftës të Sirisë dhe në kompanitë e përfshira në ndërtimin e centraleve të reja për prodhimin e energjisë elektrike në Siri.
Paketa e sanksioneve përfshin gjithashtu një ndalim të importit të naftës së papërpunuar nga Siria, një embargo armësh dhe kufizime të mëtejshme të eksportit.
Kompania ajrore “Syrian Airlines” është gjithashtu subjekt i sanksioneve.
“Nëse zhvillimet në Siri shkojnë në drejtimin e gabuar, sanksionet do të rifuten”, tha Kallas, duke shtuar se pas rënies së Asaad-it nga pushteti, pushtetarëve të rinj në vend duhet t’u jepen stimuj për të ndërtuar një demokraci të vërtetë në Siri.
Shpresa është që qindra mijëra refugjatë sirianë një ditë do të mund të kthehen në shtëpi.
