Trajtimi mjekësor për fëmijën nga Gaza, Kreu i OBSH: Shqipëria, shembull frymëzimi
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge Jr., ka falënderuar Kryeministrin e Shqipërisë për mikpritjen e familjes nga Gaza dhe të vogëlushit 1-vjeçar të plagosur.
Në një postim në rrjetet sociale, Kluge shkruan se Shqipëria i është bashkuar vendeve si Franca, Rumania dhe Norvegjia në mbështetje të pacientëve të sëmurë dhe të plagosur nga Gaza.
Ai thekson se mbi 12 000 pacientë kanë ende nevojë urgjente për kujdes mjekësor jashtë Gazës.
“Faleminderit, Shkëlqesia Juaj Kryeministër Edi Rama, që u bashkuat me shtetet e tjera anëtare të OBSH-së në Evropë, përfshirë Francën, Norvegjinë dhe Rumaninë, në mbështetje të pacientëve të sëmurë dhe të plagosur nga Gaza.
Besoj se kjo shënon fillimin e shumë evakuimeve jetike drejt Shqipërisë dhe shpresoj që veprimet tuaja të dhembshura të frymëzojnë të tjerët të ndjekin këtë shembull – mbi 12 000 pacientë kanë ende nevojë urgjente për kujdes mjekësor jashtë Gazës,” shkruan Kluge.
Mbrëmjen e të mërkurës u krye evakuimi për ofrimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri për një fëmijë 1-vjeçar nga Gaza.
Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau pamjet e mbërritjes së fëmijës së vogël me avion në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe transportimin i tij në Spital Universitar “Nënë Tereza”, ku mori dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Fëmija ka ardhur me probleme respiratore dhe po merr mjekimin e duhur. Aktualisht po merr kujdesin mjekësor në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”, ndërsa babai, vëllai dhe motra janë akomoduar në qendrën e refugjatëve në Babrru të Tiranës.
Familja është vendosur nën kujdes të plotë nga qendra e refugjatëve, ku i janë ofruar të gjitha shërbimet dhe ku po merr dhe trajtim me psikolog.
