Skënderbeu ndal Partizanin/ Elbasani mposht Teutën, Lleshi “hero” i “verdhebluve”

Partizani nuk përfitoi dot nga humbja e Dinamos në Ballsh, teksa të kuqtë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Skënderbeut në kryeqytet.

Djemtë e Veselinoviç patën gjithçka në kontroll deri në minutat shtesë, teksa u shtangën nga korçarët, duke u hequr fitoren nga duart.

Një sfidë pa shumë ritëm e spektakël nga të dy skuadrat, ishin vendasit ata që u shfaqën më kërkues në 45-minutëshin e parë, ndërsa gjetën edhe golin me Binsuka, në çastet e fundit të kësaj pjese loje.

Ndërkohë, në fraksionin e dytë të lojës, ekipi i Ernest Gjokës mori kontrollin e lojës dhe u hodh i gjithi përpara, me synim gjetjen e golit të barazimit. Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, Ardit Nikaj evitoi disfatën e bardhekuqve në minutën e 93-të, duke i dhënë një pikë shprese skuadrës së tij, në luftën për të qëndruar mes më të mirëve.

Tashmë kreu i renditjes ngjeshet, me Partizanin, Dinamon e Vllazninë që ndodhen në kuotën e 34 pikëve, ndërsa pas tyre ndjek Egnatia me vetëm 1 pikë më pak.

Sakaq, Elbasani e nisi këtë vit të ri me këmbën e mbarë. Të besuarit e Ivan Gvozdenoviç triumfuan me përmbysje 3-1 ndaj Teutës së Edi Martinit. Durrsakët gjetën rrugën e rrjetës që pas vetëm 7 minutave lojë me Mario Beshirajn.

Ndërkohë, kundërpërgjigjia e vendasve erdhi në pjesën e dytë. Arsen Lleshi veshi kostumin e heroit për verdheblutë, duke shpërthyer me 3 gola në pjesën e dytë.

Sulmuesi 25-vjeçar realizoi në minutat 52, 67 dhe 79, duke i dhënë në këtë mënyrë suksesin të tijëve. Me këtë fitore, Elbasani shkon në kuotën e 28 pikëve, në vendin e pestë, ndërsa Teuta në të gjashtin me 23 pikë të grumbulluara.