Tragjedia e Cetinjës “ndez” Malin e Zi, Nikollë Camaj: E drejta e tyre, por mungoi ndjenja e njerëzillëkut

Mijëra qytetarë protestuan të dielën në qytetin e Cetinjes dhe kryeqytetin Podgoricë në Mal të Zi, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësit politikë dhe autoritetet e sigurisë, pas vrasjes së 12 personave më 1 janar në Cetinje.

Demonstruesit ndezën qirinj dhe mbajtën heshtje për të vrarët, ndërsa mbanin pankarta dhe hidhnin thirrje të zemëruara, duke akuzuar politikanët në Malin e Zi për tragjedinë e Cetinjes dhe duke kërkuar dorëheqjen e tyre.

Për të mësuar më shumë mbi situatën politike që ka krijuar në vendin fqinj kjo tragjedi, në një lidhje me skype në studion e lajmeve në “Ora News”, i ftuar ishte nënkryetari shqiptar i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.

“Protesta është një mjet demokratik për të shprehur pakënaqësinë qytetare lidhur me çdo çështje, edhe pse kjo ngjarje është mjaft e rëndë për vetë Malin e Zi, nisur dhe nga numri tejet i madh i viktimave.

Ndoshta mund të them se është dashur të tregohet më tepër empati të qytetarëve me familjet e viktimave, sepse është protestuar edhe gjatë ditës, kur viktimat ishin ende pa u varrosur.

Pa marrë parasysh heshtjen prej 12 minutash në nderim të secilit prej viktimave, mendoj se është dashur t;i jepet më shumë kohë organeve dhe institucioneve kompetente dhe të shikohej se çfarë ato do të bënin dhe pastaj të kishte protestë.

Dhe pa marrë parasysh se pas kësaj proteste qëndron politika, së pari duhet të kishte një trajtim më njerëzor në dhimbjen e atyre familjeve që humbën të dashurit e tyre.

Në Serbi në një rast të ngjashëm pa pasur protesta disa muaj pas ngjarjes kur qytetarët dhe studentët të ngriheshin në protesta.

Pra, këtu mendoj se ka munguar ajo ndjenja e njerzillëkut, por pavarësisht kësaj e çmoj si të drejtë qytetare për të reflektuar në këtë mënyrë”, u shpreh ndër të tjera, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME NËNKRYETARIN E KUVENDIT TË MALIT TË ZI, NIKOLLË CAMAJ NË “ORA NEWS”