Tragjedia me 14 të vdekur në New Orleans, autori përdori syzet inteligjente Meta për të filmuar lagjen franceze të qytetit pak javë para sulmit

Autori i sulmit në New Orleans, Shamsud-Din Jabbar, mbante syze inteligjente për të filmuar lagjen franceze të qytetit teksa po udhëtonte me biçikletë, në javët para ngjarjes vdekjeprurëse që shkaktoi. Jabbar bëri dy udhëtime në qytetin jugor në tetor dhe nëntor të vitit të kaluar, sipas FBI.

Shtetasi amerikan, nga Hjustoni, Teksas, la të vdekur 14 persona, kur me kamionin e tij të bardhë të marrë me qira u fut në një turmë që festonte Vitin e Ri në Bourbon Street në lagjen historike franceze në fillim të 1 janarit. Ish-ushtari 42-vjeçar i ushtrisë amerikane u vra më pas në një shkëmbim zjarri me policinë në vendin e përplasjes vdekjeprurëse.

Në një konferencë shtypi të dielën, viktima e katërmbëdhjetë u konfirmua nga guvernatori i Luizianës Jeff Landry si LaTasha Polk. Ai tha se ajo punonte si infermiere dhe ishte nënë e një 14-vjeçareje.

FBI tha se udhëtimi i parë i Jabbar, kur ai qëndroi në një shtëpi me qira, filloi më 30 tetor dhe zgjati të paktën dy ditë, dhe ai ishte gjithashtu në New Orleans më 10 nëntor. Ai tha se ai e bëri videon e çiklizmit në vizitën e tij të parë duke përdorur syzet të cilat janë krijuar nga gjigandi amerikan i teknologjisë Meta dhe janë të afta për regjistrim ose transmetim të drejtpërdrejtë. Ato janë të dizajnuara që të duken si syze normale dhe vijnë në një sërë stilesh.

Xhabar mbante një palë syze inteligjente Meta ndërsa kreu sulmin terrorist të 1 janarit , por nuk i aktivizoi ato për të transmetuar drejtpërdrejt veprimet e tij atë ditë. Rreth 30 persona të tjerë u plagosën në këtë incident. Trembëdhjetë mbeten në spital, me tetë persona në kujdes intensiv.