BERLIN – Të paktën 390 të arrestuar dhe 15 oficerë policie të plagosur në natën e Vitit të Ri
Rreth 390 persona u arrestuan gjatë festimeve në rrugët e kryeqytetit gjerman, Berlin në natën e Vitit të Ri, shumë prej tyre për shkak të përdorimit të rrezikshëm të fishekzjarreve, tha sot policia e qytetit.
Policia tha se pavarësisht arrestimeve, nata e Vitit të Ri u organizua me sukses.
“Shumica e arrestimeve lidheshin me shkeljet e ligjeve në lidhje me përdorimin e fishekzjarrëve ose armëve”, tha një zëdhënës i policisë.
Fishekzjarret janë të ndaluara në rrugë të caktuara dhe në Berlin lejohet të lëshohen në natën e Vitit të Ri vetëm nga ora 18:00 deri në mëngjesin e vitit të ri në orën 7:00 të mëngjesit. Shkeljet rrezikojnë gjoba deri në 10 000 euro.
“Pesëmbëdhjetë oficerë policie u plagosën gjatë natës, njëri prej të cilëve duhej t’i nënshtrohej një operacioni pasi supozohet se ishte goditur nga një fishekzjarre ilegale”, tha policia.
Më shumë se 3 000 oficerë policie shtesë u angazhuan në terren – përveç rreth 1 000 oficerëve të policisë me makina patrullimi.
Në Leipzig, rreth 50 persona sulmuan oficerët e policisë me fishekzjarre dhe shishe.
“Në Këln, dy oficerë u plagosën nga fishekzjarre”, tha policia lokale. Incidente të ngjashme u raportuan edhe në Hamburg.
Në periferi të Geseke në North Rhine-Westphalia, një 24-vjeçar vdiq nga shpërthimi i një fishekzjarri, ndërsa dy burra u plagosën për vdekje nga aksidente në Saksoni.
Një 45-vjeçar vdiq në Oschatz, në lindje të Leipzig, ndërsa një 50-vjeçar u plagos për vdekje në Hartha pranë Chemnitz. Të dy burrat po hidhnin fishekzjarrë kur ato shpërthyen.
Në Hamburg, një 20-vjeçar humbi jetën kur një fishekzjarr i bërë vetë shpërtheu, ndërsa një person tjetër u plagos për vdekje në veri të Brandenburgut.


