EMRI/ Mercenari i dënuar me burg nga Moska është me origjinë shqiptare

Moska pretendon se ka dënuar një belg 25-vjeçar, të quajtur Jetmir Hussein, me gjashtë vjet në një koloni penale pasi luftonte si mercenar në Ukrainë. Personi në fjalë mund të jetë një belg me rrënjë shqiptare që i shpëtoi për pak një sulmi rus në një qendër stërvitore në vitin 2022

Belga News Agency

Personi i dënuar nga Rusia thuhet se i është bashkuar legjionit ndërkombëtar të ushtrisë ukrainase dy vjet më parë për të luftuar kundër forcave ruse. Një analizë imazhi tregon se ai shfaqet në një raport të Zërit të Amerikës për një sulm rus në një qendër trajnimi për rekrutët e huaj në Javoriv, ​​Ukrainë, më 23 mars 2022.

Në raport, personi në fjalë përshkruan një sulm rus në qendër, në të cilin u vranë 35 persona. Ai thotë se kishte mbërritur në qendrën e stërvitjes vetëm dy ditë më parë dhe po planifikonte të kthehej në shtëpi sepse nuk ishte gati për luftë. Raporti u mor nga mediat shqiptare të asaj kohe, të cilat shkruanin se burri kishte lindur në Shqipëri, por jetonte në Belgjikë.

Sipas prokurorisë ruse, belgu i dënuar të enjten është trajnuar në qendrën në fjalë përpara se të rrëmbente armët dhe të merrte pjesë në "armiqësitë kundër përfaqësuesve të forcave të sigurisë të Republikave Popullore të Donetskut (DPR) dhe Luganskut (LPR). si dhe ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse”.

Ai u dënua në mungesë me gjashtë vjet në një koloni penale ruse. Nuk është e qartë nëse ai është ende në Ukrainë. Ministria e Jashtme belge tha se nuk mund të konfirmonte identitetin apo kombësinë e burrit.

Shqiptaro-belgu i supozuar shfaqet edhe në një artikull të gazetës britanike The Daily Mirror, e cila raportonte se qendra e stërvitjes ishte infiltruar nga spiunë rusë. Kjo mund të shpjegojë pse ai shfaqet në një dosje penale ruse.