VIDEO/ Shpërthen varka e ankoruar në port, humb jetën një person në Florida, plagosen 5 të tjerë

Një shpërthim vdekjeprurës ka ndodhur pasditen e së hënës në një varkë në marinën e Fort Lauderdale, Florida. Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën një person dhe pesë të tjerë janë plagosur.

Sipas pamjeve të transmetuara shpërthimi e ndau anijen në gjysmë. Dëshmitarët okularë, të cilët ishin në një restorant aty pranë raportuan se kishin parë varkën duke u furnizuar me karburant përpara shpërthimit.

“Dëgjova një shpërthim të madh dhe shikova atje dhe pashë një grua në katin e dytë të varkës”, tha një nga dëshmitarët.

Gjatë incidentit, një varkë e dytë më e vogël shpërtheu në flakë, duke shtuar panikun. Pesë persona u larguan nga vendi i ngjarjes dhe u dërguan në spitalet e afërta, me tre prej tyre lëndime të rënda. Trupi i viktimës së ndjerë është gjetur në det nga zhytësit. Zjarrfikësve iu deshën rreth dy orë për të vënë nën kontroll zjarrin vdekjeprurës.