Nga Valencia në Katar, Ancelotti bën historinë e Real Madridit. Përuluni para 'Mbretit Carlo', askush si ai

U kthye rastësisht te “Los Blancos”, do të largohet si një hero. Sot, Carlo Ancelotti është bërë trajneri më fitimtar në historinë e gjatë dhe të lavdishme të Real Madridit.

Plot 15 tituj. I pari erdhi më 16 prill 2014 në Valencia: “Copa del Rey”, e fituar 2-1 kundër Barcelonës së ‘Tata’ Martino.

Pastaj, më 24 maj në Lisbonë, “Décima” e shumëpritur, i dhjeti Champions për Real Madridin, fituar në derbin ndaj Atletico Madridit falë golit të Sergio Ramos në minutën e 93-të.

Pasuan një Superkupë e Spanjës, një Botëror Klubesh dhe, në qershor 2015, shkarkimi nga Florentino Perez, gjithmonë kërkues dhe rrallëherë i kënaqur.

Prej aty, Bayern Munich, Napoli dhe Evertoni, në një karrierë që dukej se ishte në rënie. E quajtën të mbaruar, por Carlo kishte ide të tjera.

Dhe kështu, një të shtunë të 29 majit 2021, pas një telefonate të gjatë me José Ángel Sánchez, numrin 2 të Real Madridit, për të diskutuar rreth merkatos dhe shitjeve të mundshme, Ancelotti hodhi një pyetje: Si po shkon kërkimi për trajnerin? “JAS” iu përgjigj me zhgënjim se nuk kishin gjetur ende askënd për ta zëvendësuar Zidane, i cili ishte larguar duke përplasur derën. “Kthehem unë”, – tha Carlo me entuziazëm.

Nga Valencia në Katar, Ancelotti bën historinë e Real Madridit.

Një kthim i papritur, i pamenduar dhe befasues, por plotësisht triumfues. Në këto 3 vite e pak, Ancelotti ka fituar 11 trofe të tjerë, përfshirë Champions-in e 14-të dhe të 15-të të Real Madridit, dy brenda 3 sezoneve. Vetëm në vitin 2024, Carlo ka fituar 5 tituj, gara për “septete” historike vazhdon, pasi Real Madridi garon në 7 kompeticione këtë sezon.

“Mbreti Carlo” është jashtëzakonisht i lumtur, krenar dhe i kënaqur. Dhe vazhdon të fitojë, ashtu siç ka bërë gjithmonë në jetën e tij. Me Kupën Interkontinentale të sotme, numri i tij i trofeve si trajner arrin në 30. Atë të shtunë të majit, 3 vite e gjysmë më parë, kishte vetëm 19. Vetëm një person mund ta imagjinonte atë që ka ndodhur më pas; Carlo Ancelotti.

Lista e sukseseve të trajnerit italian me Real Madridin tani përfshin:

3 Champions League

2 Botërorë për Klube

3 Superkupa të Europës

2 La Liga

2 Kupa të Mbretit

2 Superkupa të Spanjës

1 Kupë Interkontinentale

Nga Valencia në Katar, Ancelotti bën historinë e Real Madridit.