Pse periudha e festave është gjithashtu periudha e rikthimit të ish-ve?
Festat e fundvitit janë një periudhë reflektimi, ku shpesh kujtojmë arritjet dhe momentet e kaluara gjatë vitit, por edhe ata që nuk janë më pjesë e rrethit tonë shoqëror.
Me afrimin e Vitit të Ri, urimet fillojnë të vërshojnë, dhe ndonjëherë mund të habiteni kur merrni një mesazh nga dikush që nuk ka qenë i pranishëm për një kohë të gjatë, madje nga një ish-partner.
Mesazhi tipik që mund të merrni është i shkurtër, ndonjëherë i shoqëruar me një batutë apo një pseudonim që përdornit dikur, si “Po mendoja për ty” dhe një urim standard “Gëzuar Vitin e Ri”.
Por, çfarë qëllimi ka ky mesazh nga ish-i?
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se personi ka mbetur vetëm dhe kërkon shoqëri për natën e fundvitit. Ndonjëherë, shpirti i festave mund të bëjë që njerëzit të ndihen më të hapur për të shprehur ndjenjat e tyre, të ndihen nostalgjikë, ose madje të përballen me vetminë.
Një studim i vitit 2017, i publikuar në “Mashable”, tregoi se festat shpesh i bëjnë njerëzit të mërzitur ose të stresuar, çka mund të shpjegojë pse ata dërgojnë mesazhe. Ky fenomen, i quajtur “Marleying”, është kur ish-i rikthehet papritur në jetën tuaj me një mesazh urimi për festat.
Kur merrni një mesazh të tillë, shpesh ndiheni të detyruar të përgjigjeni, ndonëse përgjigjja është shumë më e lehtë ta injoroni gjatë vitit, por gjatë festave situata mund të ndryshojë. Në këtë periudhë të vitit, ndonjëherë ndiheni më të prirur për të kujtuar momentet e kaluara dhe të ndiheni më të hapur emocionalisht.
Sipas “Washington Post”, këto ndjenja të përziera janë një pjesë e dukurisë së “sezonit të marrëdhënieve nostalgjike”, e cila është e frymëzuar edhe nga fotot e çifteve në Instagram dhe imazhi i përkryer i dashurisë që mund të shohim gjatë festave. Festat na futin në një “ekstazë fantazie”, ku çdo gjë duket e lumtur dhe ideale. Kur nuk jemi të lumtur në aspektin e dashurisë, këto periudha na bëjnë të përjetojmë një lloj nostalgjie dhe të kërkojmë ndjesi pozitive nga e kaluara.
Nuk ka një shpjegim të qartë se pse ish-të dërgojnë mesazhe gjatë festave, por ndoshta është më mirë t’i shmangni, pasi mund të ngjallin emocione të padëshiruara ose t’ju çojnë në një situatë që nuk është e nevojshme.


