Telefonata në Ambasadën e Ukrainës, ngriti në këmbë Policinë e Shtetit. Ja si u zbulua grupi që çonte në BE klandestinë

Një informacion sekret i mbërritur nga zyra e Ambasadës së Ukrainës në drejtim të Policisë së Shtetit, ka hapur një hetim penal në prokurorinë e Vlorës, për trafikimin e shtetasve të huaj nga Shqipëria në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.

Informacioni i siguruar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno flet për një telefonatë që një shtetas Ukrainas, ka bërë në Ambasadën e Ukrainës në Tiranë, duke treguar se po mbahej peng në Vlorë nga disa persona, që kishin si synim ta trafikonin në vendet e BE-së dhe në këmbim të kësaj ata do ta shfrytëzonin për veprimtari kriminale për një periudhë kohe.

Të dhënat e telefonuesit, numri i tij dhe përmbajtja e bisedës i është përcjellë nga ana e Ambasadës, Policisë së Shtetit, e cila angazhoi për ndjekjen e rastit policinë dhe prokurorinë e Vlorës.

Gjatë hetimeve të kryera është arritur të lokalizohet baza ku qëndronin emigrantët e huaj, ndërsa shoqëruan në polici dhe më pas i lanë të lirë 19 shtetas të huaj të moshës nga 18 deri në 26 vjeç.

Ndërsa u arrestuan si të përfshirë në veprimtari kriminale 4 persona nga Ukraina dhe Bjellorusia, të quajtur Mark Petrenko, Nazar Khamuilo, Oleksandr Tavorskyi dhe Marianna Syzareva.

Kurse ditën e sotme është arrestuar nga policia e Vlorës, personi i pestë që ishte shpallur në kërkim Oleh Kulsha.

Forcat blu publikuan pamjet e bazës së këtij grupi, ku janë sekuestruar 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 aparate celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë.