Dronët ukrainas kryejnë sulme të shumta brenda Rusisë, Zelensky: Duhet reagim masiv

Dronët ukrainas kryen disa sulme brenda Rusisë gjatë natës së të shtunës, duke përfshirë edhe një depo karbirantesh në rajonin Oryol të Rusisë qendrore.

Guvernatori i Oryol, Andrei Klychkov, tha në orët e para të së shtunës se një “sulm masiv” mbi depon e karburanteve shkaktoi shpërthime dhe dëme të shumta.

Guvernatori i rajonit të Krasnodarit, Vladimir Kondratyev, tha se mbrojtja ajrore shkatërroi dronët ukrainas në disa zona të rajonit në jug dhe në lindje të Ukrainës. Një dron ka thyer xhamat e shtëpive të fshatit, por nuk ka të lënduar. Mbrojtja ajrore shkatërroi shtatë dronë mbi rajonin Bryansk në kufirin verior të Ukrainës, tha guvernatori, Alexander Bogomaz.

Dhe në rajonin Belgorod të Rusisë, guvernatori, Vyacheslav Gladkov, tha se sulmet ukrainase goditën dy fshatra, duke plagosur një banor dhe duke shkaktuar zjarr në një shtëpi.

Sulmi ukrainas erdhi një natë pasi Rusia goditi objektet energjetike të Ukrainës në një sulm masiv ajror. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia kishte përdorur 93 raketa dhe më shumë se 200 dronë në sulmin e së premtes. Ai tha se forcat ukrainase kishin arritur të rrëzonin 81 nga raketat, duke përfshirë 11 që ishin shënjestruar me sukses nga aeroplanët F-16. Gjashtë objekte energjetike u dëmtuan në rajonin perëndimor të Lviv që kufizohet me Poloninë, thanë zyrtarët. Një burim i tha Reuters se sulmi kishte shënjestruar nënstacionet e energjisë dhe se kishte pasur më shumë goditje në infrastrukturën e gazit sesa në sulmet e kaluara.

Zelensky bëri thirrje për një “reagim masiv” nga bota në përgjigje të sulmeve. “Ky është plani i presidentit rus Vladimir Putin për ‘paqe’ – për të shkatërruar gjithçka. Kjo është mënyra se si ai dëshiron ‘negociatat’ – duke terrorizuar miliona njerëz”, tha Zelenskyy.

Ai u shpreh se “nevojitet një reagim i fortë nga bota: një goditje masive – një reagim masiv”.

Duke reaguar ndaj sulmeve, ministri i jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, bëri thirrje për “dorëzimin urgjent të 20 sistemeve të mbrojtjes ajrore Nasams, Hawk ose Iris-T”.

Moska e përshkroi sulmin e saj si hakmarrje ndaj Ukrainës e cila përdori raketa Atacms të furnizuara nga SHBA për të sulmuar një aeroport ushtarak rus gjatë javës. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se armët dhe dronët me rreze të gjatë veprimi me bazë ajrore dhe detare ishin përdorur kundër “objekteve kritike të infrastrukturës së karburantit dhe energjisë të Ukrainës që mbështesin kompleksin ushtarak-industrial”. Rusia thotë se nuk synon infrastrukturën civile, por se e sheh rrjetin elektrik si një objektiv ushtarak.