EKSPOZITA U.F.O/  “GOCAT” nga Ardian Isufi, dhuratë e Fondacionit “Mane” për komunitetin artistik

Në galerinë Gocat në piramidën e Tiranës ka hapur dyert ekspozita UFO. Reflektimi në ndikimin social, urban të periudhës komuniste dhe tranzicionit në Shqipëri I paraqitur mjeshtërisht nga artisti Ardian Isufi do të qëndrojë e hapur deri në muajin shkurt 

Në Piramidën e Tiranës, në galerinë më të madhe të artit bashkëkohor në Tiranë, “GOCAT”, është hapur ekspozita “Unidentified False Objects” nga artisti Ardian Isufi.

Në hapësirën artistike, kryeqytetase, të dhuruar nga Fondacioni Mane, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në shkurt të 2025-s, që kushdo të ketë mundësi të reflektojë ndikimin social, urban të periudhës komuniste dhe tranzicionit në Shqipëri.

Drejtoresha e galerisë, Ena Bulku, e cilëson ekspozitën si një pikë ku e shkuara dhe e tashmja takohen për të ngritur pyetje mbi të ardhmen.

Kurse artisti Ardian Isufi, e konsideron si një të mirë të përbashkët që zgjon interesin e publikut, duke e ndërgjegjësuar për forcën e identitetit.

Ardian Isufi: “Për një artist në artin bashkëkohor, sfida është që duhet të ketë një analizë të kritikës mbi estetikën, mbi mesazhin, por mbi të gjitha që t’i sjellë publikut jo vetëm mesazhe artistike, por edhe të mirën publike.”

U.F.O përmban 8 vepra arti të llojeve dhe përmasave të ndryshme, duke filluar nga instalacionet, videot, e objektet dhe artefaktet që vijnë nga e kaluara. Ekspozita është pa pagesë, ashtu siç çdo ekspozitë e kaluar në galerinë “GOCAT”.

“GOCAT” vjen si një hapësirë falas nga Fondacioni Mane për të gjithë vizitorët dhe artistët të cilët duan të promovojnë punët e tyre.