Aventurë e pazakontë për Interin, defekti në avion e la në Gjermani
Interi u detyrua të kalonte natën në Gjermani për shkak të një defekti në avionin që do të kthente delegacionin zikaltër në Milano pas ndeshjes së Champions League kundër Bayer Leverkusenit.
Skuadra e Simone Inzaghit nuk arriti të merrte tri pikët në përballjen me Bayer Leverkusenin, duke pësuar humbje në minutat e fundit.
Ky rezultat i dha mundësi ekipit të drejtuar nga Xabi Alonso të ngjitej në klasifikimin e përgjithshëm të Champions-it.
Tashmë, Interi duhet të lërë pas këtë episod dhe të përqendrohet te sfida e radhës në kampionat kundër Lazios së trajnerit Baroni, që vjen pas një fitoreje të rëndësishme kundër Napolit në "Maradona".
Kjo përballje është shumë e rëndësishme për Interin, që sot do të pushojë siç ishte planifikuar para udhëtimit në Gjermani.
Një natë e trazuar në Gjermani
Nuk ishte vetëm lodhja nga sfida në Champions, por edhe incidenti i pazakontë që përjetoi skuadra dhe delegacioni i Interit pas ndeshjes.
Avioni i planifikuar për fluturimin nga Këlni në Malpensa nuk mundi të nisej për shkak të një defekti teknik. Ekipi qëndroi në avion deri në orën 4 të mëngjesit, përpara se të vendosej që udhëtimi të shtyhej për mëngjesin e ditës tjetër.
Duke qenë se riparimi i problemit teknik do të kërkonte kohë, Interi vendosi të qëndronte në Gjermani për të kaluar natën. Skuadra arriti të gjente një hotel në momentin e fundit, ku mund të pushonte dhe të nisej mëngjesin e sotëm drejt Milanos. Interi mbërriti në Itali rreth mesditës së sotme.
Për fat të mirë, dita e sotme ishte planifikuar si ditë pushimi.
Sfida me Lazion, që është mjaft e rëndësishme për renditjen, do të zhvillohet të hënën, çka i jep ekipit kohë të mjaftueshme për t’u rikuperuar dhe për të nisur stërvitjet nesër. Vetëm atëherë skuadra do të përqendrohet te ndeshja në “Olimpico” kundër ish-ekipit të Inzaghit, i cili po kalon një formë të shkëlqyer këtë periudhë në Serie A.
