Flick, para ndeshjes me Dortmundin: Na pret një atmosferë fantastike, na motivon
Është vigjilja e Champions League për Barcelonën. Skuadra ‘blaugrana’ do të zbresë nesër në fushë në ‘Westfalenstadion’ për t’u përballur me Borussia Dortmundin.
Gjatë konferencës për shtyp, trajneri Hansi Flick komentoi atmosferën e stadiumit gjerman:
“Është një nga stadiumet më të bukura, me një atmosferë spektakolare dhe tifozët mbështesin skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme.
Atmosfera është fantastike dhe kjo i motivon shumë lojtarët. Do të kemi edhe tifozët tanë, dhe ky është një motivim shtesë.
Kemi zhvilluar ndeshje ku kemi treguar cilësitë tona, dhe është normale që ka ndeshje që nuk janë aq të mira, siç ka ndodhur së fundmi, por kam besim të plotë te lojtarët e mi.
Po bëjmë përpjekje për të përmirësuar skuadrën, kemi lojtarë të rinj, lojtarë që po rikthehen nga dëmtimet dhe është normale që ata të mos jenë gjithmonë në 100%. Duhet të kemi besim tek vetja në këto tri ndeshjet e ardhshme.
Pas Atlético-s do të kemi një pushim të merituar. Kemi luajtur shumë ndeshje ku e kemi testuar veten - Bayerni, Real Madridi..., për të parë si është përgjigjur skuadra. Për mua, ajo që ka rëndësi është që skuadra të japë 100%.
E dimë që kjo është një ndeshje e komplikuar, por e dimë gjithashtu që, nëse marrim tri pikët nesër, mund të bëjmë një hap vendimtar.”
