Shpalli ligjin e luftës, dështon votimi për shkarkimin e Presidentit të Koresë së Jugut pas bojkotit nga deputetët e partisë në pushtet
Mijëra protestues u mblodhën jashtë Parlamentit të shtunën, para nisjes së seancës për shkarkimin e presidentit.
Yoon nuk ofroi dorëheqje gjatë adresimit të tij, por tha se ai ia beson “partisë që të ndërmarrë masa për stabilizimin e situatës politike, përfshirë edhe për mandatin tim si president”.
Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit, para se të mbahej seanca për shkarkimin e presidentit, ishte e ndarë se si do të votonte për këtë çështje.
Një ditë më herët, kreu i kësaj partie, Han Dong-hoon, ka deklaruar se Yooni duhet të largohet ose Seuli rrezikon të përballet me më shumë kaos politik.
“Ushtrimi normal i detyrave të presidentit është i pamundur nën rrethanat aktuale dhe një dorëheqje e presidentit është e pashmangshme”, tha Han Dong-hoon më herët gjatë së shtunës.
Blloku opozitar ka 192 ulëse në Parlamentin me 300 vende dhe partia e Yoonit ka 108 deputetë.
Që mocioni për shkarkimin e presidentit të miratohej, kërkoheshin dy të tretat e votave dhe më pas Yoonit do t’i pezulloheshin detyrat si presdient dhe vendimi final për shkarkimin e tij do të merrej më pas nga Gjykata Kushtetuese.
Policia ka nisur ta hetojë presidentin dhe të tjerët për kryengritjen e supozuar.
“Unë nuk do t’i shmangem çështjes së përgjegjësinë ligjore dhe politike sa i përket shpalljes së gjendjes së luftës”, tha Yoon gjatë adresimit të tij.
Udhëheqësi opozitar, Lee tha se fjalimi i Yoonit ishte “shumë dëshpërues”, duke pasur parasysh kërkesën e publikut që presidenti të japë dorëheqje.
Disa protestues kanë qëndruar gjatë natës para Parlamentit, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe disa deputetët opozitarë po ashtu kanë qëndruar brenda Parlamentit gjatë natës, duke pasur frikë se Yoon mund të tentojë të ndërmarrë ndonjë masë të dëshpëruar me qëllim që të ruajë pushtetin.
Kur shpalli gjendjen e luftës, Yoon pretendoi se një vendim i tillë “do të eliminojë elementet antishtetërore që po pengojnë liritë dhe lumturinë e popullit”.
Forcat e sigurisë rrethuan Asamblenë Kombëtare, ndërkaq helikopterët ateruan në çatinë e ndërtesës. Pothuajse 300 ushtarë tentuan të bllokonin ndërtesën. Por, stafi i Parlamentit arriti të ndalonte hyrjen e ushtarëve në ndërtesë dhe brenda Parlamentit kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve, të cilët votuan kundër vendimit të Yoonit.
Ligjvënësit nga partia në pushtet dhe opozita thanë se ushtarët ishin urdhëruar që të arrestonin politikanët kryesorë, ndërkaq njësive speciale të policisë thuhet se u ishte dhënë urdhri që të largonin deputetët nga Parlamenti./REL
