Rebelët islamikë pushtojnë qytetin strategjik në Siri

Kryengritësit islamikë kanë pushtuar qytetin sirian Hama, në një betejë për të kapur një vendndodhje jetike në rrugën për në Damask, duke shënuar sfidën e fundit për kontrollin e vendit nga Bashar al-Assad.

Militantët e udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) hynë në qytet nga lindja të enjten pasi e rrethuan atë gjatë pesë ditëve të luftimeve me forcat besnike të Assadit.

“Kjo fitore do të jetë pa hakmarrje dhe e mëshirshme”, tha udhëheqësi i HTS, Abu Mohammed al-Jolani, në një mesazh për popullin e Hamës.

Ministria siriane e Mbrojtjes fillimisht mohoi se kryengritësit kishin hyrë në Hama, duke i quajtur linjat e saj mbrojtëse “të pathyeshme”.

Por ndërsa luftimet u intensifikuan dhe iu afruan qendrës së qytetit, ushtria siriane tha se ishte tërhequr, duke ridislokuar forcat e saj “për të ruajtur jetën e civilëve dhe për të mos përfshirë njerëzit e qytetit të Hamës në këto beteja”.

E pozicionuar në një autostradë që shkon nga ana perëndimore e Sirisë drejt kryeqytetit, Damaskut, Hama ishte vendi i kryengritjeve masive kundër Asadit në vitin 2011, dhe më pas betejave të ashpra kur forcat opozitare u përpoqën dhe dështuan të merrnin kontrollin e qytetit.

Hama është gjithashtu vendi i një masakre famëkeqe të vitit 1982 , kur forcat besnike të ish-presidentit Hafez al-Assad rrethuan qytetin për të parandaluar një kryengritje të udhëhequr nga kundërshtarët myslimanë sunitë të sundimit të tij.

Ofensiva gjithëpërfshirëse e udhëhequr nga HTS ka rezultuar në humbjen e kontrollit të Asadit mbi qytetin e dytë më të madh të Sirisë, Aleppo, dhe pjesë të veriperëndimit të vendit.

Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së tha se përshkallëzimi ka zhvendosur më shumë se 280,000 njerëz.