Intervista e Angela Merkel: Kush po e kërcënon sot lirinë dhe demokracinë

Në libër ju shkruani ndër të tjera: “Nëse duam të jetojmë në liri, duhet ta mbrojmë demokracinë tonë, brenda dhe jashtë, nga ata që e kërcënojnë atë!”. Në vitin 1989 menduam se liria kishte triumfuar. A ka sot arsye për t’u frikësuar për lirinë dhe demokracinë?

Unë jam aktualisht 70 vjeç, dhe tema e lirisë ka qenë e vazhdueshme në jetën time. Gjatë 35 viteve të para të jetës që kam jetuar në Gjermaninë Lindore, ku më ka munguar liria. Sot, pas euforisë së viteve 1989-1990, shoh se ka sërish parti dhe lëvizje politike që përpiqen ta kufizojnë atë.

Prandaj besoj se duhet luftuar për vlerën e lirisë. Duhet t’ia përsërisim çdo brezi se ajo është diçka e vlefshme, që nuk mund të merret si e mirëqenë, se duhet fituar vazhdimisht. Liria përfshin respektin për të tjerët, tolerancën, aftësinë për të arritur konsensus. E gjitha kjo duhet të praktikohet sërish dhe në çdo brez.

A keni frikë se epoka që dukej se nisi në vitin 1989, mund të jetë tani drejt fundit?

Unë e kam thënë gjithmonë se frika nuk është një këshilltare e mirë. Gjithsesi, unë jam e shqetësuar dhe mendoj se duhet ta mbrojmë lirinë. Sot po përballemi me sfida dhe vështirësi që nuk i kemi pasur në të kaluarën. Për shembull, për shkak të rrjeteve sociale, por edhe prirjes për ta perceptuar gjithçka bardh e zi, pra zhdukjen e nuancave në favor të lëvizjeve ekstremiste.


Kur ishit kancelarë, jeni takuar shpesh me Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë presidencial. Ju shkruani: ”Ai e shihte gjithçka nga perspektiva e një investitori të pasurive të paluajtshme... Të gjitha vendet ishin në konkurrencë, dhe suksesi i njërit nënkuptonte dështimin e  tjetrit”. A keni ndonjë këshillë për udhëheqësit e sotëm se si të sillen me të?

Nuk kam ndonjë këshillë, por kam përvojë. Dhe nga përvoja ime, them se duhet të përpiqesh të jesh vetvetja. Unë jam përpjekur gjithnjë të jem vetvetja. Shprehja mendimet e mia dhe Trump të tijat. Ndonjëherë i shprehte me synimin që të frikësonte tjetrin. Por s’duhet të shqetësohesh nëse në një bisedë nuk arrin dot atë që do. Çdo njeri ka interesat e veta, ndaj duhet t’i pajtosh këto interesa, edhe pse ndonjëherë është e vështirë.

Kjo është sigurisht një metodë e mirë për çdo bashkëbisedues, por a nuk është ndryshe me Trump?

Problemi është se ai nuk beson tek situatat në të cilat fitojnë të gjithë, por mendon për fituesit dhe humbësit. Nëse një politikan bën lëshime, nëse i jep diçka tjetrit, dhe tjetri i jep diçka në këmbim. Kështu që të dy kanë fituar diçka, sepse së bashku janë më të fortë se sa vetëm.

Ky është edhe parimi themelor i Bashkimit Evropian. E kundërta është “Make America Great Again” , një koncept që synon vetëm të arrijë fuqinë e vendit të tij, dhe që në shumë raste mund të funksionojë vetëm duke i hequr apo mohuar diçka vendeve të tjera.

Ndërkohë në zgjedhjet e fundit rajonale në Gjermaninë Lindore, partitë e ekstremit të djathtë dhe ato populiste, fituan më shumë se 40 për qind të votave...

Ky është një problem i madh. Këto parti dhe një pjesë e elektoratit të tyre, kanë synime me të cilat unë nuk bie dakord. Ajo që ka rëndësi për mua është dinjiteti njerëzor, i cili është i pacenueshëm për të gjithë në Gjermani. Urrejtja ndaj grupeve të caktuara, siç janë emigrantët, është diçka që s’mund të tolerohet. Megjithatë, partitë demokratike duhet të përpiqen t'i bindin ata që votojnë për këto parti, se refuzimi dhe protesta si veprimet e tyre të vetme, nuk do t’i çojnë gjëkundi.

Partitë e ekstremit të djathtë janë aktualisht një shqetësim i madh në shumë vende evropiane...

Për këtë arsye duhet të vazhdojmë të bëjmë fushatë për lirinë. AfD aktualisht po përpiqet të përvetësojë shprehjen “Ne jemi populli”, e cila vjen nga Revolucioni Paqësor në Gjermaninë Lindore në vitin 1989, që të përjashtojë njerëzit e tjerë. Por unë besoj se askush nuk duhet të përcaktojë se kush është populli, kush është i popullit dhe kush përjashtohet prej tij. Përkundrazi, çdo person që jeton në një vend dhe ka shtetësinë gjermane, është pjesë e këtij populli.

Dhe si duhet t’i trajtojnë partitë e tjera partitë e ekstremit të djathtë?

Mendoj se nuk do të krijohen koalicione dhe të ketë bashkëpunim me to. Por në të njëjtën kohë, ne duhet të shohim se çfarë problemesh konkrete ekzistojnë, për t’i zgjidhur ato siç duhet. Në shumë vende evropiane, njerëzit në zonat rurale janë më të zhgënjyer se sa në qytete.

Në shumë raste, infrastruktura në fshat është e dobët, shumë vende nuk janë të lidhura mirë, nuk ka shkolla dhe mjekë të mjaftueshëm. Këto shqetësime duhet të merren seriozisht. Por nuk mund të ketë bashkëpunim me parti që nxisin mënjanimin e grupimeve të caktuara, që duan që disa njerëz të mos i përkasin shoqërisë, edhe nëse kanë shumë kohë që jetojnë me ne.

Tre vjet pasi u larguat nga detyra, ka gjithnjë e më shumë zëra kritikë në lidhje me trashëgiminë tuaj. Theksohet se pas një epoke zhvillimi, epokës tuaj, kanë rënë shtyllat e këtij prosperiteti: gazi i lirë nga Rusia përmes gazsjellësit Nord Stream, siguria ushtarake e ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe eksportet në Kinë. A ndiheni përgjegjës që i keni ruajtur këto varësi dhe nuk i keni parashikuar krizat aktuale?

Pas 16 vjetësh si kancelare, e shoh të natyrshme shtrimin e këtyre pyetjeve. Gjatë qeverisjes time kam punuar për të parandaluar, sa më shumë që të jetë e mundur, një luftë si ajo që presidenti rus Putin nisi kundër Ukrainës në vitin 2022. Ky sulm ka krijuar një situatë të re, së cilës sigurisht duhet t’i përgjigjemi me masa të reja.

Ukraina duhet të ketë një të ardhme paqësore dhe të lirë si një shtet sovran. Por ky qëllim nuk mund të arrihet vetëm ushtarakisht. Parandalimi duhet të shoqërohet me mjete diplomatike, të cilat duhet të mendohen paraprakisht dhe të zotërohen në kohën e duhur.

Shpenzimet tona në mbrojtje u rritën deri në fund të mandatit tim, por jo aq sa do të kisha dashur. Nuk arrita t’i bindja partnerët e mi të koalicionit se kjo ishte e nevojshme, dhe nuk pata shumicën parlamentare të nevojshme. Kjo është arsyeja pse duhet të arrihet tani