Rama: Atmosfera e mbingarkuar në media, krijon tension artificial në shoqëri

Kryeministri Edi Rama nga shkolla “Janaq Kilica” në kuadër të turi të takimeve dhe konsultimit publik me prindër dhe mësues në të gjithë vendin për kufizimin apo ndalimin e platformave TikTok apo dhe Snapchat e vuri theksin edhe tek roli i medias duke e cilësuar komunikimin përmes ekraneve shqetësues.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se “në një furtunë të përditshme lajmesh pjesa më e madhe e të cilave janë gjysmë të vërteta, një lumë i madh njerëzish që flasin që debatojnë, por që në fakt nuk debatojnë, por zihen, një mënyrë komunikimi përmes ekraneve që është shqetësuese.

Në këndvështrimin tim kulmon aty ku normalisht duhet të kishte si minimum një etikë komunikimi që është salla e parlamentit”.

Kreu i qeverisë tha se “në gjithë këtë atmosferë të mbingarkuar që është një pasqyrë shumë e deformuar e realitetit, jo se realiteti nuk ka probleme, realiteti mund te ketë probleme më të thellë se ato që diskutohen, por fakti që nga problemet reale merren spunto për të hedhur në mexhelis më shumë material në favorin tënd dhe kundër tjetrit bëjnë që shoqëria të jetojë një lloj tensioni artificial që prodhon vështirësi në të gjitha marrëdhëniet dhe këtu në mes në këtë vorbull ku janë të gjithë të përfshirë hyjnë fëmijët që përveç të tjerave jetojnë në dy botë komplet paralele”.

“Nëse janë më pak të afektuar nga bota paralele e mediave që kanë të bëjnë me të rriturit, por tensionin e asaj bote e marrin nëpërmjet të rriturve janë shumë të afektuar nga bota paralele mes klasës, shtëpisë dhe ekranit të Tiktok , Snapchat apo cilido rrjet tjetër social”, tha Rama.