Studimi: Gjenet e familjes luajnë një rol të rëndësishëm në shfaqjen ose jo të sëmundjeve të zemrës
Gjenet e familjes luajnë një rol të rëndësishëm në shfaqjen ose mosshfaqjen e sëmundjeve të zemrës. Kështu doli në përfundim një studim i madh i zhvilluar nga Shoqata Amerikane e Zemrës, ndërsa thekson se njohja e historisë së shëndetit familjar është një hap i rëndësishëm në uljen e rrezikut të një ataku në zemër ose goditje në tru.
Presidenti i Shoqatës Amerikane të Zemrës dhe profesor klinik i asociuar i mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë Yale, Keith Churchwell tha se gjysma e rrezikut për sëmundje të zemrës mund të vijë nga gjenet e familjes.
“Në javët e ardhshme, ndërsa njerëzit mblidhen për festime familjare, do të ketë shumë udhëtime nëpër rrugët e kujtesës dhe histori nga brezat e kaluar. Ndërsa kujtoni, është një kohë e mirë për të mësuar më shumë rreth historisë së shëndetit tuaj familjar.
Vdiq stërgjyshja nga një atak në zemër? A i mbijetoi xhaxhai një goditjeje? Të dish që ke një histori të sëmundjeve kardiovaskulare është e rëndësishme sepse mund të nënkuptojë se je në rrezik të shtuar për të pasur një atak në zemër ose goditje në tru,” tha ai.
Një histori familjare nuk është një dënim me vdekje, sqaron ai, por duhet të jetë një paralajmërim, duke shtuar se pasi të kuptoni se mund të jeni në rrezik të shtuar, mund të ndërmerrni disa hapa të rëndësishëm për të qëndruar të shëndetshëm.
“Të mos pini duhan, të siguroheni që hani shëndetshëm dhe të qëndroni fizikisht aktivë janë të gjitha mënyra të mira për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës ose goditjet në tru. Edhe atëherë, mund të zbuloni se kolesteroli i lartë ose presioni i lartë i gjakut është thjesht në gjenet tuaja dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta shmangur atë. Pikërisht atëherë diagnoza e hershme dhe modifikimet e duhura të stilit të jetesës, madje edhe mjekimi nëse është e nevojshme, do të jenë veçanërisht të rëndësishme për ju," shtoi ai.
Më tej theksohet se historia familjare nuk është i vetmi faktor rreziku, pasi historia e sëmundjeve kardiovaskulare mund të jetë për shkak të mjedisit në të cilin jetojnë njerëzit dhe nga vazhdimësia e disa sjelljeve, si zakonet jo të shëndetshme të të ngrënit në familje, pirja e duhanit dhe qëndrimi i ulur.
Studimi, i botuar në revistën "Circulation" të Shoqatës Amerikane të Zemrës, zbuloi se njerëzit me një rrezik të lartë gjenetik për sëmundjet e zemrës mund ta zvogëlojnë ndjeshëm këtë rrezik nëse ndiqnin tetë sjellje: ushqim më të mirë, aktivitet fizik, ndërprerje të duhanit, gjumë të shëndetshëm, menaxhim të peshës, kontrollin e kolesterolit, menaxhimin e sheqerit në gjak dhe menaxhimin e presionit të gjakut.
