Aksident tragjik/ Autobusi del nga rruga dhe përfundon në humnerë, 17 persona humbin jetën

Një aksident tragjik ka ndodhur në Brazil ku si pasojë 17 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur. Mësohet se një autobus me 40 pasagjerë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, për rreth 20 metra. Po ashtu autoritetet braziliane po punojnë për të identifikuar viktimat dhe për të nxjerrë trupat nga autobusi i cili ra në një humnerë. 

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva tha në platformën e mediave sociale X se qeveria e tij do të japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për autoritetet shtetërore në ndihmën. Ai ka shprehur ngushëllimet për familjet e të përfshirëve në aksident. Ndërsa guvernatori i shtetit Alagoas, Paulo Dantas, shpalli në X tre ditë zie për tragjedinë. 

Mediat e huaja shkruajnë se autobusi u raportua se po transportonte rreth 40 persona në një rrugë malore për në një vend historik pranë qytetit të Uniao dos Palmares kur shoferi humbi kontrollin, me sa duket pas një dështimi mekanik. Autobusi doli nga rruga në një zonë të vështirë për t'u aksesuar, pranë një vendi në vargun malor Serra da Barriga që ka rëndësi historike për brazilianët.