Nehammer: Politika jonë ndaj Ukrainës nuk ndryshon, pavarësisht ndërprerjes së gazit nga Rusia

Austria do t’i përmbahet politikës së saj ndaj Ukrainës, pavarësisht se Rusia ndaloi furnizimet e gazit natyror në vend duke filluar nga fundjava, tha dje kancelari Karl Nehammer.

“Ne nuk do të shantazhohemi dhe nuk do të gjunjëzohemi”, tha ai në një fjalim drejtuar vendit.

”Gazprom Export”, një degë e gjigantit energjetik të kontrolluar nga Kremlini, ”Gazprom”, informoi grupin austriak të naftës dhe gazit OMW se do të ndalonte nga sot dërgesat e gazit natyror.

Masa është një përgjigje ndaj një vendimi të arbitrazhit nga Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë, e cila i dha OMV-së 230 milionë euro (242 milionë dollarë) në një mosmarrëveshje kontraktuale me ”Gazprom”.

Nehammer tha se ”Gazprom” në disa raste në të kaluarën nuk i kishte përmbushur detyrimet e tij të furnizimit me qëllim që të ushtronte presion mbi Austrinë për mbështetjen e saj ndaj sanksioneve të BE-së kundër Rusisë.

“Askush në Austri nuk duhet të ngrijë. Apartamentet duhet të ngrohen”, vazhdoi kancelari duke theksuar se ka rezerva të mjaftueshme të gazit natyror në dispozicion dhe se konsumi i Austrisë nuk është i rëndësishëm për tregun më të gjerë evropian.

Austria ka mbetur shumë e varur nga gazi rus edhe pse vendet e tjera të BE-së, si Gjermania, kanë punuar për t’i dhënë fund varësisë së tyre pas pushtimit të përgjithshëm të Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.

Pjesa e furnizimeve ruse ka zënë mbi 80% të totalit të importeve të gazit të Austrisë kohët e fundit.

Megjithatë, OMV tha më herët se ishte duke u përgatitur për skenarin e ndërprerjes totale për tre vjet dhe pozicioni i Austrisë është dukshëm më i mirë tani që ishte në vitin 2022, për shkak të konsumit më të ulët të gazit dhe më shumë burimeve të furnizimit.

Furnizimet alternative do të vijnë nga Norvegjia, nga prodhimi i Austrisë, ose në formën e gazit natyror të lëngshëm me anije nëpërmjet Gjermanisë ose Italisë.

Brenda BE-së, Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të marrin vëllime të mëdha të flukseve të gazit rus.