Dalin akuza të rënda për Liam Payne, shpërndante video intime të ish të dashurës pa pëlqimin e saj
Këngëtari Liam Payne po përballet me akuza të rënda për shpërndarje të materialeve private dhe intime pa pëlqimin e ish-partneres së tij, Maya Henry. Sipas një njoftimi ligjor të publikuar nga ‘Page Six,’ Payne akuzohet se ka dërguar imazhe dhe video të papërshtatshme dhe eksplicite tek Henry dhe familja e saj.
Këto akuza dolën në dritë pak para vdekjes tragjike të tij më 16 tetor në Buenos Aires. Në datën 9 tetor, vetëm një javë para vdekjes së tij, avokatët e Maya Henry-t i dërguan një letër Payne-it dhe ekipit të tij ligjor, ku akuzohej për dërgimin e materialeve shqetësuese në mënyrë të përsëritur. Materialet përfshinin imazhe grafike dhe video intime të Payne-it, të cilat ai dyshohet se ua kishte dërguar Henry-t dhe familjarëve të saj.
Gjithashtu, sipas ekipit ligjor të Henry-t, Payne kishte tentuar të shpërndante foto intime të saj me të tjerë pa pëlqimin e saj, veprime që ata i cilësuan si të dëmshme dhe shqetësuese. Në letrën e tyre përmendet edhe një mesazh nga një grua, që më 6 tetor kishte kontaktuar Henry-n në Instagram për ta paralajmëruar për veprimet e Payne-it. Sipas kësaj gruaje, Payne kishte tentuar t’i dërgonte asaj imazhe të Henry-t, por ajo kishte refuzuar dhe kishte ndarë informacionin me Henry-n për ta vënë në dijeni.