Dënimi i Trump për “pagesën e heshtjes”/ Ish-presidenti kërkon rrëzimin pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin
Një gjyqtar në Nju Jork pritet të vendosë këtë javë nëse dënimi penal i presidentit të zgjedhur Donald Trump, me akuza që lidhen me blerjen e heshtjes së një aktoreje të filmave për të rritur, duhet të shfuqizohet apo jo sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-së mbi imunitetin presidencial.
Gjyqtari Juan Merchan ka deklaruar se do të marrë vendimin deri të martën. Kjo është njëra nga dy vendimet kyçe që gjyqtari duhet të marrë pas fitores së Trump më 5 nëntor.
Ai gjithashtu duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me dënimin e Trump më 26 nëntor, siç është planifikuar.
Një vendim i favorshëm nga Merchan për çështjen e imunitetit ose një vonesë e dënimit do t'i hapte rrugën Trump-it për t'u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë pa pengesa nga ndonjë prej katër çështjeve penale që dikur kërcënonin ambicien presidenciale.
Zyrtarët në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, sipas raportimeve po vlerësojnë se si të përfundojnë dy çështjet penale federale të ngritura kundër Trump nga prokurori Jack Smith për shkak të politikës afatgjatë kundër ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.
Një çështje e veçantë në Xhorxhia, që lidhet me akuza penale shtetërore për përpjekjet e Trump për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, mbetet pezull.
Trump, 78 vjeç, ka deklaruar pafajësi dhe ka mohuar akuzat në të katërta çështjet, të cilat ai i cilëson si përndjekje politike nga aleatët e presidentit demokrat Joe Biden për të penguar fushatën e tij.
"Tani është krejtësisht e qartë se amerikanët duan një fund të menjëhershëm të politizimit të sistemit tonë të drejtësisë," tha zëdhënësi i fushatës së Trump
Trump në maj u bë presidenti i parë i SHBA-së i dënuar për një krim kur një juri në Manhattan e shpalli fajtor për akuza të shtetit për falsifikim të të dhënave të biznesit për të mbuluar një skandal të mundshëm seksual pak para fitores së tij të parë presidenciale në vitin 2016.
Trump ka premtuar të apelojë vendimin pas dënimit. Avokatët e tij kanë argumentuar se çështja duhet të hidhet poshtë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin.
Gjykata e Lartë, në një vendim që buronte nga një prej dy çështjeve të Smith kundër Trump, vendosi se presidentët janë të mbrojtur nga ndjekja penale që përfshin aktet e tyre zyrtare dhe se jurive nuk mund t'u paraqiten prova për aktet zyrtare në gjyqe për sjellje personale.
Ky ishte rasti i parë që gjykata njeh një nivel imuniteti presidencial nga ndjekja penale. Por Gjykata e Lartë në vendimin e saj nuk gjeti imunitet për aktet jozyrtare të një presidenti. Trump përballet me një dënim deri në katër vite burg pas dënimit me 34 akuza për vepra penale.
