Kategoria Superiore/ Partizani fiton derbin ndaj Dinamos dhe merr kreun, Teuta e Skënderbeu ndahen në barazim

Partizani fiton derbin me Dinamon dhe ngjitet në krye të Kategorisë Superiore, duke përfituar edhe nga barazimi 1-1 i Egnatias me Vllazninë.

Të kuqtë triumfuan 2-1 përballë bluve në “Elbasan Arena” në një ndeshje plot ritëm dhe me raste në të dyja portat, por në fund më konkretë ishte skuadra e drejtuar nga Veselinovic.

Pjesa e parë, në fakt, nuk prodhoi gola, megjithatë dhuroi emocione për nivelin e lojës së zhvilluar.

Në këtë fraksion vlen të përmendet shtylla e Mba në minutën e 11-të.

Ekulibrat në rezultat u prishën në fillim të pjesës së dytë: meritë absolute e Tedi Carës, që pasi depërtoi deri në zonën e Dinamos, goditi saktë duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Kundërpërgjigjja e Dinamos erdhi në minutën e 55-të nga Zabërgja, që shtyu drejt rrjetës topin e kthyer nga traversa pas goditjes së Bregut, 1-1.

Vetëm tetë minuta më vonë do të rrëmbente skenën Rrapaj me një goditje të befasishme, që rezultoi e pakapshme për Salin.

Pavarësisht momenteve të vështira nga njëra portë në tjetrën, rezultati nuk ndryshoi më, me Partizanin që festoi fitoren e gjashtë sezonale dhe ngjitjen në krye të renditjes me 24 pikë, dy më shumë se Vllaznia.

Ndërkohë, sfida e luajtur në “Niko Dovana” mes Teutës dhe Skënderbeu përfundoi në barazim 1-1.

Fillimisht shënuan korçarët me Charles në fundin e pjesës së parë, por vendësit u kundërpërgjigjën me Preknicaj në pjesën e dytë, duke shmangur humbjen.