Studimi: Toka po nxehet, hollohet shtresa e akullit në liqenet e hemisferës veriore

Ngritja e temperaturave dhe ndryshimet klimatike ndikojnë në hollimin e shtresës akullnajore në liqenet veriore. Sipas statistikave, sot shtresa e akullit shkrihet 45 ditë më herët në krahasim me një shekull më parë.

Nxehtësia e tokës në dy vitet e fundit dhe sidomos gjatë vitit 2024, po ndikon negativisht në shtresa e akullit në liqenet e hemisferës veriore.

Statistikisht, sipas shekncëtarëve, sot shtresa e akullit shkrihet 45 ditë më herët në krahasim me një shekull më parë.

Këto ndryshime të mbulesës së ngrirë janë të destinuar të sjellin pasoja të rëndësishme mbi cilësinë e ujit, sasinë e ujit, biodiversitetin, klimën dhe aktivitetet socio-ekonomike.

Nëse akujt janë të pranishëm për kohë më të shkurtër, ujërat e liqeneve ngrohen më shpejt dhe për pasojë avullojnë më shpejt.

Por ky fenomen mund të favorizojë mbërritjen e specieve jo autoktone, përkeqësimin e ujit, dhe kërcënon ekuilibrat ekologjike, gjë që sjell pasoja në zinxhirin ushqimor, por edhe në ekonominë e lokaliteteve të izoluara në zona malore.

Konkluzionet janë arritur pas një studimi për gjendjen e liqeneve sot në botë, me përshpejtim të dukshëm në 25 vitet e fundit të shkrirjes së akujve.

E ndërsa akullnajat tkurren, ato shpesh lënë pas liqene të paqëndrueshme. Uji mbahet vetëm nga digat natyrore – grumbuj shkëmbinjsh dhe akulli të mbetur.

Nëse një liqen akullnajor shpërthen, mund të shkaktojë një përmbytje vdekjeprurëse.  Më shumë se 15 milionë njerëz në mbarë botën janë të kërcënuar nga përmbytjet që  mund të shkaktohen nga liqenet akullnajore.

Referuar ngrohjes globale, shkencëtarët thanë se 2024-ta do të jetë viti i parë në të cilin planeti është më i ngrohet për 1.5 gradë, krahasuar me kohën paraindustriale, 1850-1900, kur njerëzit filluan të djegin lëndë fosile në shkallë industriale.

Emetimet e dioksidit të karbonit nga djegia e thëngjillit, karburanteve dhe gazit, janë shkaktarët kryesorë të ngrohjes globale.

Çdo rritje temperature nxit mot ekstrem. Në tetor, qindra njerëz humbën jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike në Spanjë.

Zjarret rekorde goditën Perunë, ndërsa përmbytjet në Bangladesh shkatërruan më shumë se 1 milion tonë oriz, duke bërë që të rriten tej mase çmimet.