Guterres: Të shqetësuar për raportet për dislokimin e trupave të Koresë së Veriut në Ukrainë
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka shprehur shqetësimin për dislokimin e mundshëm të ushtarëve të Koresë së Veriut në konfliktin në Ukrainë.
“Sekretari i përgjithshëm është shumë i shqetësuar për raportet e dërgimit të trupave nga Republika Popullore Demokratike e Koresë në Federatën Ruse, duke përfshirë vendosjen e tyre të mundshme në zonën e konfliktit”, tha OKB në një deklaratë në Nju Jork.
“Kjo do të përfaqësonte një përshkallëzim shumë të rrezikshëm të luftës në Ukrainë”, sipas deklaratës.
Sekretari i përgjithshëm përsëriti mbështetjen e tij për të gjitha përpjekjet kuptimplota drejt një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Ukrainë, në përputhje me Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme.
Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, deri në 8 000 ushtarë të Koresë së Veriut janë të vendosur pranë kufirit me Ukrainën dhe mund të dislokohen nga Rusia në ditët në vijim.
Presidenti rus, Vladimir Putin nuk e ka mohuar praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut, por ka theksuar se Ukraina ka përdorur edhe personel nga vendet e NATO-s.
