Zelensky: 12 000 ushtarë nga Koreja e Veriut do të jenë së shpejti në Rusi

Rreth 12 000 ushtarë të Koresë së Veriut do të jenë “së shpejti” në Rusi për stërvitje, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke pritur t’i shohë ata në fushën e betejës në Ukrainë më vonë.

“Tashmë janë 3 000 ushtarë të Koresë së Veriut në territorin rus. Sipas shërbimeve tona së shpejti do të jenë 12 000″, theksoi Zelensky gjatë një konference për shtyp me krerët e vendeve nordike, duke denoncuar edhe një herë një “përshkallëzimi” të konfliktit.

‘’Rusia do t’i përdorë ato në territorin tonë”, tha ai.

Pentagoni nga ana e tij deklaroi se 10 000 ushtarë të Koresë së Veriut tashmë po stërviteshin në tokën ruse.

Sipas presidentit ukrainas, Koreja e Veriut tashmë ka furnizuar Rusinë me “miliona predha artilerie si dhe raketa” për konfliktin në Ukrainë.

I pyetur për rrezikun për Ukrainën nga një zgjedhje e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane, Zelensky u përgjigj se “nuk e kishte dëgjuar” kandidatin republikan të thoshte se nuk do të mbështeste vendin e tij.

“Mosmbështetja e Ukrainës do të ishte një fitore e madhe për Putinin dhe një humbje e madhe për Perëndimin, për unitetin, demokracinë dhe lirinë”, shtoi Zelensky.

Zelensky u takua me krerët e qeverive islandeze, daneze, norvegjeze, finlandeze dhe suedeze, të cilët premtuan mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën.