Bashkë kundër kancerit të gjirit/ Rotary Club Tirana West, Premium Clinic dhe Spitali Amavita mbledhin profesionistët
Elvis Karaj dhuron 20 mamografi për gratë e shoqatës "Europa Donna"
Nën kujdesin e Elvis Karajt, president i Rotary Club Tirana West, në bashkëpunim me Premium Clinic dhe Spitalin Amavita, një aktivitet i veçantë u mbajt në Tiranë në vijim të Tetorit Rozë, muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit
Aktiviteti bashkoi profesionistë të shëndetësisë dhe qytetarë për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe parandalimit të kësaj sëmundjeje.
Dr. Orges Spahiu, mjek onkolog dhe shef i repartit të radioterapisë pranë QSUT, theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe ndikimin e tij në shanset për kurim.
Donjeta Zeqo nga "Europa Donna", një shoqatë që mbështet të drejtat dhe shëndetin e grave, gjithashtu ndau eksperiencat e saj dhe theksoi rëndësinë e edukimit dhe mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit.
Prof. Asc. Qamil Dika nga Departamenti i Shëndetit Publik, Fakulteti i Mjekësisë, ofroi një perspektivë të vlefshme mbi rolin e shëndetit publik në parandalimin e kancerit dhe rëndësinë e politikave që mbështesin diagnostikimin e hershëm dhe trajtimin e efektshëm.
Elvis Karaj, president i Rotary Club Tirana West i dha certifikata mirënjohje ekspertëve dhe gjithashtu dhuroi 20 mamografi falas për gratë e shoqatës "Europa Donna" dhe për të pranishmit.
Aktiviteti i Tetorit Rozë shërbeu si një kujtesë e fuqishme për të gjithë se ndërgjegjësimi, edukimi dhe mbështetja janë çelësat për të luftuar kancerin e gjirit dhe për të shpëtuar jetë.

