Studimi: Vetmia rrit me 31% riskun për prekjen nga demenca...

Vetmia në moshën e mesme dhe të vjetër rrit rrezikun e demencës me 31%. Në këtë përfundim kanë dalë studiuesit nga disa vende të botës përfshirë Irlandën, Zvicrën dhe SHBA-në.

Studimi mbi të dhënat e mbi 600 mijë personave në mbarë botën, më i madhi i kryer ndonjëherë, i publikuar në revistën “Nature Mental Health”, faktoi se vetmia është një faktor rreziku kritik për zhvillimin e demencës, duke përfshirë sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën vaskulare.

Demenca prek rreth 7.9 milionë njerëz në Bashkimin Evropian, nuk ka një kurë, dhe faktorët që ndikojnë përfshijnë gjenetikën dhe stilin e jetesës. Por ky studim tregon se edhe cilësia e lidhjeve sociale luan një rol të rëndësishëm në rrezikun e prekjes nga kjo sëmundje.

Studiuesit theksuan se vetmia nuk lidhet vetëm me rënien konjitive, por gjithashtu rrit rrezikun e dëmtimit të kujtesës dhe aftësisë për të marrë vendime me 15%.

Në BE, 35 % e njerëzve thonë se ndihen të vetmuar të paktën disa herë, me përqindjet më të larta në Irlandë, Luksemburg, Bullgari dhe Greqi.

Kjo analizë, më e madhja deri më tani mbi këtë temë, nënvizon rëndësinë e ndërhyrjeve për të ulur vetminë dhe për të përmirësuar lidhshmërinë sociale, si një mënyrë për të mbrojtur shëndetin mendor dhe kognitiv të individëve në moshë të mesme dhe të vjetër.