“NanoBalkan” në Tiranë/ 250 pjesëmarrës nga vendi dhe bota në edicionin e katërt
Konferenca shkencore “NanoBalkan2024” do të mbledhë në Shqipëri 250 pjesëmarrës nga vendi e bota. Kjo është hera e katërt radhazi që “NanoBalkan” zhvillohet në vendin tonë.
Konferenca synon të shfaqë një gamë të gjerë kërkimesh aktuale në nanoshkencë dhe nanoteknologji së bashku me iniciativa të rëndësishme politikash kërkimore. Ajo do të ofrojë një platformë për ndërveprim të gjerë dhe shkëmbim njohurish.
Gama e veprimtarive do të përfshijë nanomjekësinë, shkollën për nanobiosensorët, workshop-in mbi mjedisin dhe nanomjekësinë, workshop-in “Gratë në nanoteknologji”, seminar për sipërmarrësit, etj.

“NanoBalkan 2024” organizohet nga Fondacioni Phantom (Phantoms Foundation), Spanjë dhe nga Qendra Kërkimore NanoAlb me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Bashkëdrejtues i kësaj konference është akademiku Arben Merkoçi, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, drejtues i NanoAlb, profesor i ICREA-s në Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, Barcelonë, Spanjë. Konferenca do të zhvillohet nga 28 tetori deri më 1 nëntor.

