Muçollari: 4.2 mln euro shpërdorim për pisha dhe palma në projektin e zgjerimit të rrugës Tiranë-Durrës, Erjon Veliaj në qendër të akuzave

Fillimet e punimeve për zgjerimin e rrugës Tiranë-Durrës dhe shndërrimin e saj në një autostradë kanë materializuar një nga shpërdorimet më të mëdha të parave të qytetarëve në historinë e shtetit shqiptar.

Teksa fadromat e kompanive që fituan tenderin në dy lotet e para të rrugës kanë filluar gërrmimet në terren, ecuria e tyre ka hasur në një ngërç. Ato janë 485 pishat në të dy anët e rrugës, të cilat rezultojnë në inventarin e bashkisë me kosto 6800 blerje euro secila.

Burime i thanë Kapitalit se Bashkia po ngurron të shkulë pishat duke vonuar dhe ecurinë e punimeve. Por fati i pemëve, dhe bashkë me to edhe i miliona eurove të qytetarëve shqiptarë, tashmë është vendosur. Në kosh.

Lidhur me këtë ka reaguar sot edhe Partia Demokratike, përmes anëtarit të Kryesisë Grigels Muçollari.

DEKLARATË PËR MEDIA ANËTARI I KRYESISË NË PD, GRIGELS MUÇOLLARI

Kjo është njëra prej x pishave që janë shkulur pasi do të bëhet zgjerimi i rrugës, Tiranë-Durrës. Vetëm një e tillë u ka kushtuar taksapaguesve të Tiranës, 6mijë e 800 euro.

Të gjitha pishat bashkë, janë blerë nga Erjon Veliaj, me 3.3 milionë euro. Ndërkohë që më parë, kishin shkuar dëm, ishin shpërdoruar me të njëjtën shkujdesje dhe nën të njëjtën skemë korrupsioni 900 mijë euro me palmat, të cilat u thanë, për shkak të klimës.

4.2 milionë euro dëm, të shpërdoruara nga buxheti, të konstatuara edhe nga raportet e KLSH.

E gjitha kjo, ka ndodhur, edhe pse kishte një projekt që në vitin 2014, të miratuar nga Drejtoria e Rrugëve, për ta bërë këtë zgjerim.

Erjon Veliaj e dinte se këto punime do të bëheshin, dhe paratë do të shkonin dëm. E sërish, bleu një pishë me 6 mijë e 800 euro. Ai ka përgjegjësi për këtë abuzim.

Ky është korrupsion. Kemi mësuar se Ministria e Drejtësisë ka paguar 360 milionë lekë, nga taksat e shqiptarëve, për konsulencë të huaj për të luftuar korrupsionin.

Ja ku e kanë një rast në mes të ditës, në sy të të gjithëve. Kur do të nisë SPAK-u hetimin për këtë krim financiar?

Kur do të reagojnë kolegët e Erjon Veliajt në drejtësinë e re, të cilët paguhen nga shqiptarët për të bërë pikërisht këtë punë, për të vënë para ligjit shpërdoruesit e fondeve publike?

Ndaj njerëzit duhet të reagojnë, duhet të ngrenë zërin. Këto janë pasuri të qytetarëve, janë taksat e tyre.