Mediat vendase: Hetimet taksore në Indi ekspozojnë OJQ-të e financuara nga Soros
Zyrtarët thanë se hetimet ndaj organizatave me lidhje me miliarderin kanë zbuluar përpjekje të koordinuara për të dëmtuar projektet e zhvillimit në vend.
Ata thanë se hetuan pesë organizata madhore jo-qeveritare, pas provave për financime nga jashtë, me objektiv ‘ndalimin e zhvillimit ekonomik të vendit’.
Rrjeti vendas Indian Express, tha se hetimet e nisura nga 2022 ndaj OJQ-ve përfshinin grupet Oxfam, ‘Centre for Policy Research’ (CPR), ‘Environics Trust’, ‘Legal Initiative for Forest and Environment’, dhe ‘Care India Solution’.
Pas kontrolleve të vitit të shkuar autoritetet kanë zbuluar prova se grupet po veprojnë në kundërshtim me ligjin për financimet e huaja për shoqatat e individët. Sipas raportit 75% e financimeve të katër nga pesë grupet e mësipërme, vinte nga jashtë, dhe se ato të gjitha vepronin në koordinim sikurse dhe krerët e tyre ishin të ndërlidhur me njëri-tjetrin.
Departamenti i taksave zbuloi prova se organizata të huaja orkestronin protesta të paguara kundër projekteve të zhvillimit të infrastrukturës vendase, ose vepra të tjera kundër interesit kombëtar të Indisë.
Indian Express përmend në veçanti aktivitetin e tyre kundër dy korporatave madhore indiane si Adani Group dhe JSW Group.
Oxfam është ndaluar nga New Delhi të marrë fonde nga jashtë në 2022, teksa financohet nga fondacioni Shoqëri e Hapur, e miliarderit George Soros.
Ky i fundit ka kritikuar publikisht lidhjet mes kryeministrit indian Narendra Modi dhe oligarkut Gautam Adani.
Filantropisti Soros tha në konferencën e sigurisë në Munih në 2023, se Modi e Adani janë “aleatë të ngushtë” dhe se “fatet e tyre janë të ndërlidhura”.
Ndërsa më vonë partia e kryeministrit Bharatiya Janata Party (BJP) dënonte Soros, duke e akuzuar se po minon demokracinë në Indi, shkruan Indian Express.