Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Esper: Irani nuk dëshiron një luftë më të gjerë, pas sulmit të paprecedentë ndaj Izraelit

Irani nuk dëshiron një luftë më të gjerë, pas sulmit të tij të paprecedentë ndaj Izraelit, tha për CNN ish-sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Mark Esper, sipas BBC.

“Unë mendoj se në këtë pikë ata e kanë kuptuar se me siguri nuk mund ta fitojnë atë”, tha Esper, tashmë një analist i CNN.

”Izraeli është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndaj sulmit të Iranit. Por, edhe pasi Izraeli të përgjigjet – gjë që mund ta bëjë duke goditur objektivat ushtarake ose ekonomike iraniane – reagimi i Iranit ka të ngjarë të jetë i kufizuar”, tha Esper për Kaitlan Collins të CNN.

”Pas sulmit të tij të fundit raketor, i cili u kap kryesisht nga Izraeli dhe aleatët e tij, Irani ka dëshmuar se aftësitë e tij ushtarake janë të kufizuara”, tha ai.

“Nuk e di se çfarë i ka mbetur Iranit për t’u përgjigjur. Grupet e tyre përfaqësuese janë shkatërruar”, shtoi ai, duke iu referuar Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në Gaza.