Baerbock i kërkon Izraelit dhe Hezbollahut të pranojnë planin e armëpushimit

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i bëri thirrje Izraelit dhe milicisë libaneze të Hezbollahut – të bien dakord me propozimin për një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor.

“Një përshkallëzim më i gjerë rajonal nuk do t’i sillte askujt siguri afatgjatë”, tha ministrja gjermane në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.

Baerbock tha se mungesa e progresit ishte zhgënjyese. “Ne nuk do të heqim dorë nga kërkimi i një vizioni politik për izraelitët dhe palestinezët – në mënyrë që ata të jenë në gjendje të jetojnë paqësisht krah për krah në dy shtete”, tha ajo.

Një kërkesë e përbashkët për një armëpushim që zgjat 21 ditë u lëshua nga disa vende, duke përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin.

Armëpushimi synon të krijojë hapësirë ​​për një zgjidhje diplomatike të konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, si dhe luftës gati 1-vjeçare të Gazës. Por, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar planin duke shtuar se sulmet do të vazhdonin në Liban.