Trump kritikon refuzimin e Zelensky për të bërë marrëveshje mes luftës së Rusisë në Ukrainë

Ish-presidenti Donald Trump kritikoi dje Volodymyr Zelensky – duke pretenduar se presidenti ukrainas “refuzon të bëjë një marrëveshje” – mes luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ne vazhdojmë t’i japim miliarda dollarë një njeriu që refuzon të bëjë një marrëveshje”, tha Trump në takim të fushatës në Karolinën e Veriut.

“Kaq shumë njerëz të vdekur, çdo marrëveshje, madje edhe marrëveshja më e keqe, do të kishte qenë më e mirë se ajo që kemi tani”, tha ish-presidenti amerikan Trump.

“Ju keni një vend që është fshirë, i pamundur për t’u rindërtuar”, shtoi Trump, duke iu referuar situatës në Ukrainë.

“Do të duhen qindra vjet për ta rindërtuar atë. Nuk ka para të mjaftueshme për ta rindërtuar edhe nëse e gjithë bota mblidhet”, tha ai.

Trump kritikoi presidentin Joe Biden dhe zëvendëspresidenten Kamala Harris për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Ukrainës, duke theksuar se ai do t’i jepte fund ndihmës së SHBA-së për vendin – nëse rizgjidhej në zgjedhjet presidenciale amerikane, më 5 nëntor.

Biden do të presë sot Zelensky në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësi ukrainas synon të parashtrojë “planin e tij të fitores” për të mposhtur Rusinë. Ai do të takohet gjithashtu me ligjvënësit në Kongresin e SHBA.

Zelensky ka planifikuar gjithashtu të takohet me Trump gjatë qëndrimit së tij në SHBA. Megjithatë, uebfaqja e lajmeve “Politico” raportoi se një takim i tillë tashmë konsiderohej i pamundur.