Zgjedhjet në SHBA, hakerët iranianë i dërguan dokumentet e fushatës së Trump ekipit të Biden
Hakerët iranianë i dërguan ekipit të fushatës së Joe Biden, i cili tashmë është tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë, dokumente “të vjedhura” nga ekipi i kandidatit republikan Donald Trump, njoftuan autoritetet amerikane të mërkurën.
Sipas një deklarate të përbashkët të FBI-së, Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Sigurisë së Infrastrukturës (CISA), autorët e sulmeve kibernetike u dërguan emaile individëve të lidhur me fushatën zgjedhore të Joe Biden.
“Emailet përmbanin pjesë nga dokumentet e vjedhura, jo publike të ekipit të fushatës së ish-presidentit Donald Trump “, deklaruan tre agjencitë, duke sqaruar se ekipi i presidentit demokrat nuk iu përgjigj asnjërës prej tyre.
Në gusht, të njëjtat agjenci akuzuan Iranin për një sulm kibernetik kundër fushatës zgjedhore të Trump. Misioni i Iranit në OKB i kishte hedhur poshtë “këto akuza, të cilat nuk kanë asnjë bazë”.
