Teliti: Buxheti i shtetit thjesht një “plaçkë” në tepsinë e Rilindjes!
Koordinatori për Programin Ekonomik në PD, Dorjan Teliti, denoncon hapjen e procedurave të prokurimit për shiritat elektoralë të vitit të ardhshëm, ndërkohë që projektbuxheti 2025 as nuk është prezantuar, as nuk është diskutuar e as është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.
Më poshtë statusi i Telitit:
BUXHETI I SHTETIT THJESHT NJË "PLAÇKË" NË TEPSINË E RILINDJES!
Imagjinoni sa bukur do ishte sikur ta mbronin buxhetin e shtetit ashtu siç mbrojnë interesat personale të "deputetes strategjike".
Fakt: Qeveria e Rilindjes nuk u limitua këtë javë vetëm në shkeljen e Kushtetutës për të mbrojtur mandatin e deputetes strategjike, nuk u limitua as në rritjen me 500 efektivë të policisë së pushtetit, por në shkelje të çdo parimi të shëndoshë të menaxhimit financiar publik, ndezi dritën jeshile për fillimin e procedurave të prokurimit për qindra tenderime e prerje shiritash elektorale.
Skandal: Akti Normativ i buxhetit u miratua dhe urdhri u dha: "filloni urgjentisht" procedurat e tenderimit për qindra projekte të vitit të ardhshëm, ndonëse pa miratuar ende buxhetin 2025, ende pa pasur fondet e miratuara zyrtarisht nga Parlamenti, gjë që ligjërisht pritet të ndodhë ditët e para të dhjetorit të këtij viti.
E thënë ndryshe, ndonëse projektbuxheti 2025 ende nuk është dorëzuar, diskutuar dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo nuk e ndalon qeverinë të vendosë tërësisht me kokën e vet për abuzimet dhe vjedhjet paraelektorale, nuk e ndalon Rilindjen në pushtet të marri përsipër në kurriz të shqiptarëve qindra milionë euro detyrime pa miratimin e ligjvënësve.
Për qeverinë e Rilindjes, buxheti i shtetit ka qenë dhe mbetet thjesht një plaçkë për të tregtuar interesat personale dhe politike.
Ndaj e vetmja zgjidhje sot është qeveria teknike, shqiptarët duan dhe meritojnë të jenë të lirë në vendimet dhe zgjedhjet e tyre, duan që taksat e tyre të mos vidhen e shpërdorohen për të 12-in vit radhazi.
O sot, o kurrë!


