AMF, projekte bashkëpunimi për edukimin dhe inovacionin financiar
Grupi Intesa Sanpaolo dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thellojnë më tej bashkëpunimin, me fokus edukimin financiar dhe aplikimin e tendencave të reja teknologjike dhe inovative në fushën financiare.
Në këtë kuadër, drejtuesja e AMF-së, Mimoza Kaçi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, ku u takua me drejtues të lartë të grupit Intesa Sanpaolo.
Drejtoresha e Përgjithshme e AMF-së u prit nga Kryetari i Këshillit Drejtues të Grupit Intesa Sanpaolo, Gian Maria Gross-Pietro, si dhe drejtues të lartë të Divizionit Ndërkombëtar të Bankave të Huaja dhe të Shoqërisë së Menaxhimit të Aseteve Eurizon SRG.
Prej shtatorit të vitit të kaluar, investimet në fondet evropiane, ofrohen edhe për investitorët shqiptarë, përmes Intesa Sanpaolo Bank Albania, si distributor dhe agjent shitje i fondeve të investimit të administruara nga Eurizon Capital S.A (shoqëri e Grupit Bankar Intesa Sanpaolo).
Eurizon Capital S.A është një nga kompanitë kryesore evropiane të menaxhimit të aseteve me një eksperiencë dhe përvojë të konsoliduar dhe të suksesshme prej më shumë se 30 vjet në menaxhimin e investimeve dhe ekspertizën në fushën e inovacionit të produkteve.
Diskutimet mes drejtuesve të lartë të grupit Intesa Sanpaolo dhe drejtueses së AMF-së u përqendruan në mundësitë e bashkëpunimit në nisma të edukimit financiar dhe në tendencat aktuale të tregjeve dhe mundësitë e aplikimit të inovacionit dhe teknologjisë në fushën financiare. Vizita në Muzeun e Kursimeve të Bankës Intesa Sanpaolo ofroi një perspektivë të rëndësishme mbi historinë dhe rëndësinë e edukimit financiar.
Duke vlerësuar prezencën e kapitalit italian në tregun financiar shqiptar, Kaçi theksoi: "Kjo vizitë ishte jashtëzakonisht produktive dhe na ofroi mundësi të shkëlqyera për të forcuar marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Eksperienca e grupit Intesa Sanpaolo përbën një vlerë të shtuar në avancimin cilësor të punës sonë për edukimin financiar".
Drejtuesit e Grupit Intesapaolo shprehën gatishmërinë për të thelluar më tej bashkëpunimin me rregullatorin shqiptar të tregjeve financiare jo bankare për të sjellë praktikat më të mira evropiane në tregun financiar shqiptar.


