“LUFTA PËR TË DREJTAT”/ Albin Kurti nënvizon rëndësinë e Albanologjisë: Për të krijuar orientimin tonë kombëtar

Në hapjen e konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti theksoi rolin e rëndësishëm të Albanologjisë në zhvillimin e vetëdijes kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Ai njoftoi ndarjen e bursave për studentët e gjuhës dhe letërsisë shqipe, duke përmendur rritjen e aplikimeve për këto programe.

Albanologjia ka lindur si një dije aktive e luftarake e lidhur ngushtë me vetëdijen kombëtare, e që luftoi për të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.

Kështu tha kryeministri Albin Kurti në hapjen solemne të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, raporton Ekonomia Online.

Kreu i ekzekutivit tha se “Java e Albanologjisë” është bërë një traditë e bukur, ndërsa u përmenden edhe ndarja e bursave për studentët që studiojnë gjuhë shqipe dhe letërsi.

“Rilindësit tanë të shquar, duke nisur nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa e deri te Faik Konica e Fan Noli, i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë, për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet jo shkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinj”, tha Kurti.

Kurti tha se kanë për qëllim stimulimin e të rinjve që të orientohen drejte albanologjisë, teksa përmendi ndarjen e bursave për studentët që vijojnë studimet në programet gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjik.

“Para dy muajve morëm edhe vendimin për të ndarë bursa Bachelor dhe Master për studente që vijojnë programet gjuhë shqipe dhe letërsi shqipe në Fakultetin Filologjikë në UP. Falë kësaj në këtë vit akademik numri i aplikimeve në programin gjuhë shqipe nga 20 sa ishte vitin e kaluar tash është 105, në letërsi shqipe nga 6 sa ish te vitin e kaluar tash është 79”, tha Kurti.

Lulëzim Lajci, në emër të Institutit Albanologjik, tha ky edicion është i 15-ti më radhë, ndërsa presin edhe rezultate në një periudhë të shkurtër kohore