Argjentina i kërkon ICC-së arrestimin e Maduros
Argjentina i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë që të lëshojë një urdhërarresti për presidentin venezuelian, Nicolas Maduro.
”Pas zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut, të cilat u shoqëruan me akuza për mashtrim të gjerë të votuesve, veprimet e ndërmarra nga qeveria e Maduros mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Argjentinës.
”Argjentina synon të nxisë një urdhërarresti kundër Maduros dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë së tij me një kërkesë zyrtare në gjykatën në Hagë të hënën”, tha ministria.
Maduro, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 2013, siguroi një mandat të tretë në zgjedhjet e diskutueshme pasi autoriteti elektoral i vendit – i cili është i mbushur me besnikë të qeverisë – e shpalli atë fitues.
Qeveria nuk ka dhënë asnjë numër konkret të votuesve për të mbështetur fitoren e Maduros.
Opozita pretendon fitoren për kandidatin e saj, ish-diplomatin 75-vjeçar Edmundo González dhe ka mbështetje të konsiderueshme nga vendet e tjera të rajonit dhe SHBA.
Që nga votimi, policia ka goditur demonstruesit kundër Maduros.
Organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, PROVEA, tha se 24 persona kanë humbur jetën deri tani.
Në një përshkallëzim të rëndësishëm, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Venezuelës tha të hënën se ishte lëshuar një urdhërarresti për Gonzálezin.


