ALIJI TE DINAMO/ Mbrojtësi i Kombëtares lë Rumaninë për t’iu bashkuar bluve
Mbrojtësi i kombëtares kuqezi Naser Aliji ka lënë Rumaninë për t’iu bashkuar bluve të Dinamo City për sezonin 2023-2024.
Dinamo City ka blinduar mbrojtjen duke afruar në skuadër 30-vjeçarin Naser Aliji. Ka qenë vetë klubi i transferuar në Durrës që ka konfirmuar edhe marrëveshjen e arritur me mbrojtësin e Kombëtares.
Shqiptaro-maqedonasi nga Kumanova ka firmosur të martën edhe kontratën që e bën pjesë të ekipit 18 herë kampion në Shqipëri.
Mbrojtësi 30-vjeçar vjen tek blutë e kryeqytetit pas një karriere të suksesshme në Europë, me ekipe si Basel, Vaduz, Kaiserslautern, Virtus Entela, Honved dhe sëfundmi FC Dinamo dhe Voluntari në Rumani.
Teksa detajet e kontratës nuk janë bërë publike, ky është përforcimi më i fundit të Dinamos, e cila synon të ngjitet në majat e futbollit shqiptar këtë sezon, aty ku vite më parë ishte i padiskutueshëm.
Aliji, është vetëm një nga 11 afrimet që klubi ka bërë këtë verë, ku mund të evidentohen Dejvi Bregu që në sezonin e kaluar u aktivizua me Wisla Krakow në Poloni, me të cilët fitoi edhe kupën.
Afrime të tjera të rëndësishme për blutë e Dinamo City, serish në repartin e mbrojtjes janë Mateo Muzek, Bruno Dita, si dhe Bekim Maliqi.
Po ashtu për t’u vlerësuar janë edhe 2 afrimet e reja që vijnë nga skuadra e të rinjve të Dinamos, Rajan Guci, si edhe Irgen Hasanaj.

