U shkarkua nga KPK, prokurorja e Tiranës largohet nga salla duke qarë

Prokurorja e Tiranës, Ornela Rrumbullaku, u shkarkua nga KPK me një vendim të shpallur sot, ndërsa vendimi u mor nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Xhensila Pinen.

Vendimi i shkarkimit duket se ka qenë i papritur për prokuroren, e cila ka shpërthyer në lot.

Rrumbullaku dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.

Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me ortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.

Rrumbullaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse në kriterin profesional.

Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë.

Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Deri në momentin e shkarkimit nga detyra ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

U shkarkua nga KPK, prokurorja e Tiranës largohet nga salla duke qarë