KUNDËRSHTARËT NË BURG/ Gjykata në Venezuelë kërkon arrestimin e kandidatit të opozitës. Ja akuzat

Kundërshtitë për rezultatin e zgjedhjeve nga opozita janë konsideruar të paligjshme në Venezuelë, për këtë arsye një gjykatë atje ka urdhëruar arrestimin e rivalit për Presidentit të Nicolas Maduro. Edmundo Gonzalez akuzohet për falsifikim, konspiracion dhe uzurpim të pushtetit.

Një gjykatës në Venezuelë ka lëshuar një fletarrestim për ish-kandidatin e opozitës për president, Edmundo Gonzalez. Fletarrestimi është pjesë e një hetimi lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura në korrik, që partia në pushtet, por edhe opozita, pretendojnë se i kanë fituar.

Fletarrestimi u lëshua me kërkesë të autoriteteve, të cilat e akuzojnë Gonzalezin, ish-diplomat, për një sërë akuzash përfshirë për konspiracion, falsifikim të dokumenteve dhe uzurpim të pushtetit.

Kjo lëvizje është e fundit në mesin e masave shtypëse kundër opozitës, pasi një muaj më parë zyrtarët zgjedhorë e shpallën presidentin Nicolas Maduro, fitues të zgjedhjeve presidenciale, duke i dhënë mandatin e tretë gjashtëvjeçar.

Autoritetet zgjedhore, besnike të presidentit, e shpallën Maduron fitues të zgjedhjeve disa orë pasi u mbyllën vendvotimet më 28 korrik. Por, zyrtarët zgjedhorë nuk kanë publikuar të dhënat për secilën vendvotim, siç kishin bërë në të kaluarën.

Gonzalez dhe liderja opozitare, María Corina Machado, befasuan mbështetësit dhe kundërshtarët e tyre kur njoftuan se dokumentet tregonin se Maduro kishte humbur zgjedhjet me një diferencë të madhe ndaj ish-diplomatit. Ata i kanë publikuar këto të dhëna në internet.

Teksa është rritur presioni ndërkombëtar për publikimin e rezultateve të detajuara, Maduro i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të Venezuelës që të hetojë procesin zgjedhor, duke nxitur kritika nga vëzhguesit e huaj, të cilët kanë thënë se kjo gjykatë është shumë e afërt me Qeverinë dhe nuk mund të kryejë një hetim të pavarur.

Gjykata tha më 22 gusht se dokumentet lidhur me votat, që u publikuan nga opozita, ishin false dhe certifikoi fitoren e Maduros.

Mungesa e transparencës dhe arrestimet e protestuesve kundër opozitës në ditët pas zgjedhjeve, kanë nxitur dënime nga e mbarë bota ndaj Maduros dhe aleatëve të tij. Në mesin e të arrestuarve janë udhëheqës opozitarë, gazetarë, punëtorë të kompanive të sondazheve e të tjerë.