Manastirliu inspektime në shkolla: Vijojmë investimet në laboratorët shkencorë dhe ambientet sportive
Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu ka vijuar me inspektimin e shkollave dyert e të cilave do të hapen në fillim të shtatorit.
Në gjimnazin “Isa Boletini” në Vorë ndër të tjerat Ogerta Manastirliu e vuri theksin të laboratorët shkencorë.
“Mësuesit tashmë do të kenë kushte pune shumë të mira për të realizuar planet e tyre mësimore, sidomos në lëndët shkencore, pasi kemi ndërtuar 4 laboratorë të veçantë për kimi, fizikë, biologji dhe informatikë. Në të njëjtën kohë, investimet në ambientet sportive do të mundësojnë zbatimin e programit “Shkolla, qendër komunitare”, duke i ofruar kështu komunitetit të Vorës një mundësi të re për t’u angazhuar në aktivitetet sportive”, theksoi ministrja.
Në Vorë sipas Manastirliut janë rindërtuar gjithsej 6 shkolla dhe 3 kopshte.
“Përveç tyre, në të gjithë vendin janë 25 objekte arsimore që kanë përfunduar dhe janë të gatshme për vitin e ri shkollor 2024-2025, ndërsa puna vazhdon në objekte të tjera, të cilat pritet të përfundojnë brenda këtij viti shkollor”, tha Manastirliu.
Manastirliu edhe një herë solli në vëmendje shpërndarjen e librave falas ku përfitojnë edhe12,500 nxënës të gjimnazeve që i përkasin kategorive sociale.


