Kim Jong Un bën thirrje për më shumë dronë vetëvrasës
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka theksuar nevojën për të nxitur zhvillimin dhe prodhimin e dronëve vetëvrasës, njoftuan sot mediet shtetërore.
Agjencia shtetërore e lajmeve, KCNA raportoi se Kim vëzhgoi një test të performancës së dronëve të ndryshëm, të organizuar nga Instituti i Dronëve i Akademisë së Shkencave të Mbrojtjes në Phenian të shtunën.
”Fotot zyrtare treguan dronët e bardhë me krahë në formë X që synonin dhe shpërthyen kundër tankeve të rreme”, të cilat, sipas agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, u ngjanin tankeve të Koresë së Jugut ”K-2”.
Sipas KCNA, Kim tha se ishte e nevojshme të zhvilloheshin dhe prodhoheshin më shumë “dronë vetëvrasës” – mjete ajrore pa pilot të pajisura me eksplozivë të projektuar për t’u hedhur në territorin armik dhe për t’u përdorur në këmbësorinë taktike dhe njësitë e operacioneve speciale.
Testi i armëve ndodhi në mes të tensioneve të rritura në Gadishullin Korean pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut po kryejnë një manovër ushtarake në shkallë të gjerë për të penguar Korenë e Veriut.
Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut kritikoi këto manovra ushtarake si “stërvitje luftarake provokuese” dhe “një prelud për një luftë bërthamore”, ndërsa Uashingtoni dhe Seuli hodhën poshtë akuzat e Phenianit.
Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka rritur ndjeshëm shtrirjen e testeve të saj të armëve, duke përfshirë testimin e raketave me aftësi bërthamore, dhe ka rritur retorikën e saj kundër SHBA-së dhe Koresë së Jugut, të cilat Pheniani i konsideron si shtete armike. Ajo gjithashtu ka intensifikuar bashkëpunimin e saj ushtarak me Rusinë.
